2015-05-01 14:47:00

“Dora” e Papës, “dorë” gjithnjë e hapur për të bërë mirë


Varfëria, duke u bërë përherë më ndjeshme, po rëndon edhe mbi kategoritë, që më parë gëzonin një farë mirëqeniejeje. Kësaj situate të re të varfërisë, përpiqet t’i përgjigjet “dora” e Papës dorëdhënës, përmes institucioneve të posaçme të Kishës, në këtë situatë të rënduar nga kriza ekonomike. Pa harruar se mungesat dhe mjerimi, që e shtyp njeriun, nuk kanë vetëm kuptim financiar.

Në vitin 2014, përmes Lëmoshtarisë Apostolike, “dora” e Papës shpërndau  ndërmjet 8 mijë të varfërve, 1 milion e gjysëm euro, shumë 25% më e madhe sesa ajo e vitit  të mëparshëm. Njoftimin e jep imzot Diego Giovanni Ravelli, kryetar zyre i Lëmoshtarisë Apostolike, duke saktësuar se “dora “ e Papës ngrihet për t’i bekuar të varfërit, por edhe shtrihet, për t’i ndihmuar konkretisht. E kjo është përgjigjja konkrete që u dha rreth 8.  000 vetëve, të cilët i kërkuan ndihmë. Kujtojmë se kërkesat për ndihmë duhet të shoqërohen nga një vërtetim i famullitarëve e atyre, si garantë, u dorëzohet shuma përkatëse e cila, pastaj, shkon në dorë të njeriut që ka nevojë për ndihmë. E kjo, sepse gjesti bujar i Papës duhet të integrohet në solidaritetin e Kishës e të bashkësisë së krishterë të famullisë. Ndihma ndoshta është modeste, por Papa dëshiron që të përfitojnë prej saj sa më shumë njerëz nevojtarë. Përsa i përket vitit në vijim, shton imzot Ravelli, vetëm në muajin mars shuma e shpërndarë ishte rreth 285 mijë euro e, sigurisht, do të shtohet akoma në muajt e ardhshëm.   








All the contents on this site are copyrighted ©.