2015-05-01 11:34:00

Papa Françesku: videomesazh për Expo Milano 2015 (tekst i plotë)


Po japim, më poshtë, tekstin e plotë të përshëndetjes së Françeskut:

Të dashur vëllezër e motra!

Ju falënderoj për mundësinë e bashkimit të zërin tim me  atë të ju të gjithëve, që erdhët në këtë përurim. Është zëri i Ipeshkvit të Romës: flet në emër të popullit të Hyjit, shtegtar në botën mbarë; zëri i shumë e shumë të varfërve, të cilët bëjnë pjesë në gjirin e këtij populli e plot dinjitet, përpiqen ta fitojnë bukën me djersën e ballit.

Dëshiroj të bëhem zëdhënës i gjithë këtyre vëllezërve e motrave, të krishterë e jo të krishterë, që Zoti i do si bij e për të cilët dhuroi jetën, theu bukën, që është Korpi i Birit të Tij të bërë njeri. Ai na mësoi t’i kërkojmë Hyjit Atë: “Bukën tonë të përditshme jepnae neve sot!”. Expo është rast i përshtatshëm për ta globalizuar solidaritetin. Të mos e shkapërderdhim, por ta vlerësojmë plotësisht!

Në mënyrë të posaçme, na bashkon tema: “Të ushqehet planeti, energjia për jetën”. Edhe për këtë duhet ta falënderojmë Zotin: për zgjedhjen e një teme kaq të rëndësishme, kaq themelore, me kusht që të mos mbetet vetëm “temë”, por të shoqërohet gjithnjë nga vetëdija e “fytyrave”: fytyrave të miliona njerëzve, që sot kanë uri, që sot nuk hanë me dinjitetin që i takon njeriut. Dëshiroj që çdo njeri, duke nisur që sot, çdo njeri, që kalon për ta vizituar Expo-në e Milanos, duke përshkuar këto pavijone të mrekullueshme, ta perceptojë praninë e këtyre fytyrave. Prani e fshehur, por që, në të vërtetë, duhet të ishte protagonistja e mirëfilltë e ngjarjes: fytyrat e burrave e të grave, që kanë uri, që sëmuren e që edhe vdesin për shkak të  ushqimit të paktë a të dëmshëm.

“Paradoksi i begatisë”, shprehje e përdorur nga Gjon Pali II nësa fliste pikërisht para Fao-s (Fjalim në Konferencën I kushtuar Ushqimit, 1992),  vijon akoma, pavarësisht nga përpjekjet e bëra, disa nga të cilat me rezultate të mira. Edhe Expo, për disa aspekte, bën pjesë në këtë “paradoks të bollëkut” nëse i nënshtrohet kulturës së hedhurinës, të përjashtimit, e nuk kontribuon për një model të ndershëm e të qëndrueshëm zhvillimi. Të përpiqemi, prandaj, që kjo Expo të jetë rast i përshtatshëm për ndryshimin e mendësisë, për të mos menduar më se veprimet tona të përditshme – në çdo shkallë përgjegjësie – nuk do të kenë ndikim mbi jetën e atyre që, pranë a larg nesh, vuajnë nga uria. Mendoj për shumë burra e gra, që vuajnë nga uria e, posaçërisht, për një mori fëmijësh, viktima të urisë në botë.

E ka edhe fytyra të tjera, që do të kenë rol të rëndësishëm në Ekspozitën Universale: ata të shumë veprimtarëve dhe kërkuesve shkencorë të sektorit ushqimor. Zoti i dhënë secilit urtinë dhe guximin, sepse e madhe është përgjegjësia e tyre. Nga ana ime, uroj që kjo përvojë t’u krijojë afaristëve, tregtarëve, studiuesve kushtet për ta ndjerë veten pjesëtarë në projektin e madh të solidaritetit: projektin për të ushqyer planetin, duke respektuar çdo burrë e çdo grua, që banon në të e duke respektuar edhe mjedisin natyror. Kjo është sfida e madhe, për të cilën Hyji e thërret njerëzimin në shekullin XXI: t’i japë fund shpërdorimit të kopshtit, që ia besoi Zoti, që të gjithë të  mund të hanë nga frytet e këtij kopshti. Marrja mbi vete e një projekti të tillë të madh, i jep dinjitet të plotë punës së atyre që prodhojnë  ose që  vijojnë kërkimet shkencore në fushën ushqimore.

 Por gjithçka  niset prej atje: prej perceptimit të fytyrave. E atëherë nuk dua t’i harroj fytyrat e të gjithë punëtorëve, që  derdhen djersë për Expo-në e Milanos, posaçërisht për më të paemrit, më të panjohurit, që edhe  falë Expo-së, fituan kafshatën e bukës së përditshme, për ta çuar në shtëpi. Uroj që askujt të mos i mungojë ky dinjitet! E asnjë kafshatë buke të mos jetë fryt i punës së padenjë për njeriun!

 Zoti na ndihmoftë ta shfrytëzojmë me përgjegjësi këtë rast të madh. Ai, që është dashuri, na dhëntë “energjinë e vërtetë për jetën”: dashurinë për ta ndarë bashkë bukën, “bukën tonë të përditshme”, në paqe e vëllazërim. E asnjë burri, asnjë gruaje, të mos i mungojë buka e dinjiteti i punës.  








All the contents on this site are copyrighted ©.