2015-05-01 17:17:00

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e kardinalit Canestri: i përvuajtur e besnik


Papa Françesku u prek thellë, kur mori njoftimin për vdekjen e kardinalit Giovanni Canestri, kryeipeshkëv nderi i Gjenovës, që ndërroi jetë dje, në Romë, në moshën 96 vjeçare. Në një telegram ngushëllimi, drejtuar mëkëmbësit, Agostino Vallini, Papa shpreh admirimin e tij për këtë njeri të nderuar të Kishës, që e jetoi me përvujtëri e besnikëri jetën e tij të gjatë e të frytshme meshtarake dhe ipeshkvnore, në shërbim të Ungjillit e të shpirtrave, të cilët i qenë besuar.

 Papa kujton me mirënjohje shërbesën e të ndjerit, një herë si zëvendës-famullitar, në vitet e vështira të luftës, në rrethinat e Romë, pastaj si famullitar e, posaçërisht, si edukator i të rinjve. Në shërbesën ipeshkvnore, vijon Papa, dëshmoi urti baritore e vëmendje bujare për nevojat e të tjerëve, të cilët i trajtoi gjithnjë me urti e kujdes.

Mesha e dritës e kardinalit Canestri do të kremtohet nesër, 2 maj, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Romë, kryesuar nga kardinali dekan, Angelo Sodano. Në përfundim Papa Françesku do të kryesojë ritin përfundimtar të Salikimeve: atë të “Porosive të fundme” (Ultima Commendatio) e të “Lamtumirës” (Valedictio).

I lindur në Castelspina, dioqeza e Aleksandrisë, më 30 shtator 1918, Giovanni Canestri u shugurua meshtar më 12 prill 1942 e ipeshkëv, më 8 korrik 1961. Kardinal u krijua më 28 qershor 1988 nga Papa Gon Pali II.








All the contents on this site are copyrighted ©.