2015-05-01 14:24:00

Maria, gurrë e pashterrshme dashurie


Në Besëlidhjen e Re, Zoti iu dëftua njerëzimit jo më nën hijen e ngjasimin elementeve natyrore, por me vetjen e Birit të tij hyjnor. Zoti mori mish e gjak si ne, mori natyrën tonë, për dashuri. I tha me fakte, jo me fjalë, njerëzimit: “Unë jam dashuria!”. E ky është përkufizimi i përkryer i Hyjit. Zoti është dashuri, thotë Shën Gjoni,

E nga të gjitha krijesat, dalë nga dora e Krijuesit, asnjë më mirë se Maria nuk e kuptoi këtë përkufizm e askush më shumë se ajo nuk e pati shuar etjen në këtë gurrë të pashterrshme. Duke u bërë Nëna e Zotit, Zoja u bë nënë e dashurisë. E vërtet, me fuqi e për virtyt të dashurisë e zu në kraharor Shëlbuesin; për dashuri e nxori në dritë foshnjën hyjnore, për dashuri e  rriti, për dashuri e fali mbi elterin e vrazhdë të kryqit e po për dashuri e zëvendësoi Krishtin, pas  ngjitjes në qiell, me Gjonin e bijtë e Tij në shpirt.

Në veprën e madhe të shëlbimit, secili nesh është një hallkë, në zinxhirin e pakëputur  të historisë së dashurisë së Zotit ndaj njerëzimit. E Zoja, pa dyshim, është hallka e parë e këtij zinxhiri, menjëherë pas Krishtit!

 Se sa punë të bindshme kreu Hyji përmes Marisë, na e thotë ajo vetë, kur shpirti i saj i kulluar madhëron Zotin e kujton punët e mëdha të kryera përmes saj. Nga dashuria për njerëzit, për secilin nga ne! Të mos e harrojmë, pra, Nënën e Krishtit, në majin e Saj, që nisi sot.








All the contents on this site are copyrighted ©.