2015-05-01 14:25:00

Kisha Katolike është kujdesur gjithnjë për botën e punëtorëve


Festa e 1 majit kremtohet në mbarë botën. Është kjo Festë e punës të cilën Kisha Katolike ka dashur ta vlerësojë edhe më tej duke ia kushtuar jetën e botës punëtore Shën Jozefit, pajtorit qiellor të gjithë punëtorëve.
Sipas doktrinës shoqërore të Kishës Katolike, me punë njeriu bëhet më njeri, bëhet njeri e realizohet në kuptimin e vërtetë e të plotë të fjalës, sepse puna është dhuratë e madhe që Zoti i ka falur njeriut, duke e bërë atë “zotëruesin e tokës e të çdo gjallese që lëviz mbi tokë” dhe të të gjitha të mirave materiale. Kisha Katolike gjithmonë i ka kushtuar vëmendje dhe është angazhuar në plan të parë për përparimet në fushën sociale e në mënyrë të posaçme për krijimin e vendeve të punës për të gjithë personat pa dallime e përjashtime. Dinjiteti i njeriut, e drejta e punës dhe solidariteti me punëtorët, përherë kanë qenë dhe janë në qendër të vëmendjes së Kishës Katolike.
Kështu këtë ditë, më 1 maj, kremtohet Festa e Punës. Ajo, për ne të krishterët është vënë nën mbrojtjen e Shën Jozefit punëtor. Kjo festë e rëndësishme karakterizohet edhe nga nisma të ndryshme të cilat kanë për qëllim të nxjerrin në pah pikërisht rëndësinë dhe vlerën e punës, përmes së cilës njeriu e shndërron natyrën duke ia përshtatur nevojave të veta, duke realizuar vetveten si njeri.
Ne e dimë se gjithësia është dhuratë që Zoti i ka besuar krijesës njerëzore. Krijimi i ka ato të mira për çka njerëzimi ka nevojë. Këndej nëse njeriu punon me kujdes dhe e mbron gjithësinë, toka dhe të gjitha gjallesat e të mirat materiale, i plotësojnë nevojat që ka çdo person për të jetuar. Nga natyra dhe puna, pra, vjen ajo “bukë e përditshme” që e kërkojmë me lutje në uratën e “Atë ynës”. Po duke folur për punën dhe të mirat që Zoti falë çdo ditë, nuk mund të mos nënvizojmë edhe virtytet e punëtorit.
Në një farë kuptimi, mund të thuhet se përmes punës njeriu bëhet më njeri, sikur nënvizuam më parë. Ja pse zelli për punë është virtyt. Mirëpo që ky zell për punë t’i mundësojë me të vërtetë njeriut të bëhet më njeri, nevojitet që puna të jetë e lidhur ngushtë edhe me rendin social të punës, me të drejtat themelore të punës e të punëtorit. Vetëm në këto kushte mund të mbrohet e të garantohet dinjiteti i personit dhe vlera njerëzore e sociale e aktiviteteve të ndryshme të punës.
Dëgjues të nderuar, thamë më parë se Kisha Katolike përherë i ka kushtuar vëmendje të posaçme botës punëtore, e kështu në këtë ditë nuk mund të mos i kujtojmë edhe mësimet e shumta të Magjisterit të Kishës katolike në fushën sociale, sidomos nga periudha e Papës Leonit XIII e deri te Gjon Pali II dhe Benedikti XVI mbi dinjitetin e punëtorit e të punës, mbi të drejtën e punës, mbi parësinë e personit në botën e punës, mbi kërkesat e drejtësisë e të solidaritetit. E në epokën e globalizimit edhe më tepër imponohet brenda kombeve e në marrëdhëniet ndërkombëtare sfida e madhe e solidaritetit, përkujdesi ndaj nevojave të personave, të grupeve e popujve më të dobët e më të varfër.
Sot nuk mund të mos e kujtojmë edhe kremtimin e Jubileut të punëtorëve që u mbajt më Një maj të vitit 2000 në Tor Vergata në periferi të Romës me Papën Gjon Palin e Dytë. Me atë rast Ati i Shenjtë Karol Wojtila, para mëse 200 mijë personave të mbledhur, ku bënin pjesë sindikatat, studentët, të papunët, financierët, politikanët e drejtorët e firmave, tha se “solidariteti dhe drejtimi i ndryshimeve rrënjësore që kanë përfshirë procesin e prodhimit, janë garancia etike që i mundëson popujt të bëhen protagonistë të së ardhmes së tyre. Shpikjet teknologjike janë të rëndësishme por dallimet e mosbarazitë që ekzistojnë në botë ende sot, janë ende të shumta e kërkojnë zgjidhje urgjente. Jo gjithmonë organizimi i punës e respekton dinjitetin e personit njerëzor” – tha Papa .
Një tjetër temë e rëndësishme e atij 1 maji të Vitit Jubilar 2000 ishte edhe falja apo shlyerja e borxhit të jashtëm të Vendeve më të varfëra. Me atë rast Papa Gjon Pali II u bëri thirrje Vendeve të pasura të bëjnë hapa konkrete solidariteti. “Nevojitet globalizimi i solidaritetit, pati theksuar Papa Wojtila. Jo pak Kombe, në mënyrë të posaçme më të varfrat janë të shtypura e të munduara nga borxhet që kanë marrë përmasa të tilla sa ta bëjnë praktikisht të pamundur pagesën”. Punë për të gjithë si rrugë e solidaritetit dhe e drejtësisë, u nënvizua në Një majin e Vitit Jubilar 2000 kremtuar në Romë në praninë e Papës Gjon Pali II.
Po për rëndësinë dhe vlerën e punës flasin edhe tekstet e Shenjta të Biblës, që rrëfejnë se Jezu Krishti, Biri i Hyjit e vlerësoi shumë punën e zejtarisë. Po kështu, Kushtetuta e Koncilit II të Vatikanit “Gaudium et Spes” na ndihmon dhe na nxit ta rizbulojmë kuptimin dhe vlerën e punës e të përballojmë çekuilibrimet ekonomike e shoqërore që ekzistojnë në shoqëritë e ndryshme në botën e punës, dhe na thërret të rivendosim hierarkinë e drejtë të vlerave, në radhë të parë, dinjitetin e njeriut që punon, lirinë e tij, përgjegjësinë e pjesëmarrjen, drejtësinë dhe mbrojtjen e kulturës së secilit popull dhe të modeleve të ndryshme të zhvillimit. Me pak fjalë, ky dokument i Kishës na ndihmon ta kuptojmë punën si detyrë, si të drejtë të nevojshme për t’i vënë pasuritë e tokës e të teknologjisë, në shërbimin e përbashkët të njerëzimit e të shoqërisë së familjes njerëzore në shkallë botërore, duke zbatuar kështu urdhrin e Zotit i cili na thotë: “Nënshtrojeni tokën!”.
Në këtë ditë, të gjithë ata që punojnë dhe ata persona që kërkojnë punë, pra tërë familjen punëtore kudo në botë, ia besojmë ndërmjetësimit qiellor të Shën Jozefit.
Gjithnjë sot më 1 maj, për besimtarët katolikë fillon edhe muaji maj të cilin Kisha ia kushton Zojës së Bekuar, Nënës sonë Qiellore dhe u bënë thirrje të gjithëve t’i luten Zotit posaçërisht për punëtorët e në mënyrë të veçantë për ata që kanë vështirësi për të gjetur punë.
Në këtë ditë feste kushtuar punës, nuk mund të mos shprehim solidaritetin tonë me të gjithë ata persona që vuajnë për shkak të mungesës së punës, të pagës së pamjaftueshme, të mungesës së mjeteve materiale. Në këtë ditë kaq të rëndësishme që na vënë para vlerën e rëndësisë së punës, nuk mund të mos i denoncojmë ato plagë të rënda që ekzistojnë në fushën e botës së punës e të shoqërisë së sotme, në të cilën popullsi të tëra, familje të tëra jetojnë në varfëri të thellë, që e fyen dinjitetin e tyre njerëzor, që i pengon të gëzojnë të mirat e tokës, që i detyron të ushqehen me thërrimet që bien nga sofra e të pasurve.
Prandaj, kjo ditë kushtuar punës në festën e Shën Jozefit punëtor, në njërën anë na kërkon drejtësi e paqe për të gjithë popujt, për të gjitha familjet e na nxit ta vejmë në qendër të vëmendjes njeriun e dinjitetin e tij dhe në anën tjetër na thërret që liria, demokracia, financat, tregu të përdoren si mjete për të ndërtuar një të ardhme më të mirë e më të drejtë për të gjithë.








All the contents on this site are copyrighted ©.