2015-04-30 16:01:00

Lutje drejtuar Shën Jozefit punëtor në ditën e festës


Me rastin e festës së sotme të Shën Jozefit punëtor, po kujtojmë këtë lutje aktuale, kushtuar Shenjtit:
O Shën Jozef, po të rrëfej se nuk ta drejtoj gati kurrë lutjen time. Të lutem, më fal, por ti e di mirë ç'do të thotë të jesh në hije.
Por sot, ditën e festës sate, dua të të drejtohem pikërisht ty:
Shën Jozef, ti je në hije - a më mirë të themi, në errësirë - ndonëse fare pranë Atij, që është Drita e botës, e po aq pranë, Nënës së tij të ndritshme.
Ti nuk e kundërshton errësirën. Mësona ta pranojmë edhe ne, kur e ndjejmë veten të harruar e të lënë pas dore. Na mëso ta duam.
Shën Jozef, Ungjilltarët nuk ishin të mendimit se kishe një vend të rëndësishëm në historinë e Shëlbimit. Përndryshe do të kishin shkruar shumë më tepër për ty.
Ndoshta të fshehën, ashtu si fshihet një perlë e vogël, që të të mund të të gjenin vetëm ata, të cilët kanë sy të vëmendshëm për perlat e vogla.
Shën Jozef, sipas Shkrimit Shenjt, Zoti t'u drejtua vetëm ndër ëndrra. Ta tha në ëndërr atë që duhet të bëje.
Na ndihmo ta dëgjojmë me vëmendje atë që dëshiron të na thotë Zoti, si kur flejmë, ashtu edhe kur jemi zgjuar.
Shën Jozef, ti i pranove sprovat që të çoi Zoti. Ti e more me vete të fejuarën tënde, që ishte shtatzënë, ndonëse ndokush të shikoi shtrembër, ndonëse pat edhe njerëz që folën keq për ty, ndonëse për këtë arsye humbe miq e emër të mirë.
Na ndihmo të bëjmë vullnetin e Zotit edhe kur na dhemb.
Shën Jozef, ti le atdheun, punën, sigurinë, sepse biri yt- që nuk ishte yt bir, - kishte nevojë për ty. Nuk the: qoftë mallkuar! Nuk ngurrove e as mërmurove. More në heshtje gomarin e shkopin e i mbrojte Marinë dhe të birin në udhën e gjatë drejt Egjiptit.
Shën Jozef, ti e deshe vashën tënde, Marinë. Pate filluar ta doje, sepse ta patën zgjedhur prindërit - por pastaj gjithçka mori tjetër rrugë. Në gjithçka ngjau, ne mund të kuptojmë fare pak, sepse këtu ti je aq afër Zotit, sa askush nuk mund ta kuptojë.
Gjithsesi dashuria jote për Marinë, vashën tënde, duhet të ketë qenë tepër e madhe - ditë për ditë më e madhe. Sepse në fund të fundit ti je Shenjt e virtyti më i madh i Shenjtorëve është aftësia për të dashur!
Shën Jozef, na mëso të duam, t'i duam të gjithë njerëzit, ta duam edhe punën, që ti e bëre me aq durim e kujdes; na mëso ta dhurojmë dashurinë. Na mëso të heqim dorë nga shumë gjëra, për hir të dashurisë. Na mëso dashurinë që të përvëlon e të bën të vuash. Na mëso atë dashuri që është vërtetë dashuri.
Shën Jozef, tregojua rrugën të gjithë atyre që e kanë humbur. Lute për ta Jezusin, Birin e Zotit.
Na e mëso dashurinë e vërtetë, në kohën tonë që ka aq shumë nevojë për dashuri!
Shën Jozef, gjatë rrugës së historisë së Kishës, ti gati-gati ke qenë harruar. Erdhën shtyllat vigane të Kishës, Pjetri e Pali, martirët Shtjefni e Lorenci, dijetarët Agostini e Ambrozi, studiuesit Toma e Deda, reformatorët Françesku i Asizit e Injaci i Lojojës, dijetaret e shenjta të Kishës Katerina e Tereza, e erdhën më pas edhe shenjtorët e kohëve tona, Edit Shtain e Maksimilian Kolbe.
Pas këtyre njerëzve, kush nuk e harron njeriun që e kaloi gjithë jetën në hije, për të cilin nuk dihet asgjë, Jozefin e Nazarethit?
Mos u zemëro, Shën Jozef, në se të gjitha përpjekjet për të të nxjerrë nga hija në dritë dështojnë njëra pas tjetrës.
Edhe punëtorët e zejtarët e sotëm nuk të kushtojnë ndonjë vëmendje të veçantë. E edhe vendi, që tashmë ke zënë në Kanunin Romak, nuk të ndihmon aq shumë.
E kjo ndodhë sepse ti vetë nuk dëshiron të dalësh nga hija e nga terri.
Më mëso, ti, zejtar i thjeshtë, të mos kërkojmë duartrokitjet, dritat e skenës, publicitetin. E di se kjo është tepër e vështirë, sepse të gjithë kemi dëshirë të bëhemi të famshëm, të mbulohemi me lëvdata.
Shën Jozef, na mëso se të gjitha këto dëshira të largojnë nga Jezusi; se vetëm ai që pranon, madje ai që e do hijen, gjen Jezusin e Atin! Shën Jozef, na ndihmo ta pranojmë vendin tonë në hije e në errësirë!
Amen!

Shën Jozefi është fati i Marisë dhe mbrojtësi i Jezusit. Ka qenë me prejardhje të mbretërisë së Davidit, me profesion zdrukthëtar. Shën Mateu, apostull dhe ungjilltar, thotë për të se ka qenë i drejtë, që domethënë i virtytshëm dhe burri i shenjtë. Ka qenë i habitur kur e ka parë se Maria është shtatzënë, pa e ditur se si kishte ndodhur kjo. Ka qenë i sigurt se është grua e ndershme dhe për t`iu ikur thashethemeve dhe të gjitha gjërave negative që do të vijonin, ka vendosur ta lëshojë fshehurazi.
E pra kur engjëlli i Zotit e mësoi se ajo ka mbetë shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt, e pranoi pa frikë planin e Zotit. Me Marinë shkoi në Betlehem për tu regjistruar dhe atëherë lindi Jezusi. Pastaj ka ikur në Egjipt me kërcënimin e Herodit se ka për ta vrarë Jezusin. Ka shtegtuar me Jezusin dymbëdhjetë vjeçar dhe me Marinë prej Nazaretit vendit të lindjes në Jerusalem dhe me brengosje e ka kërkuar Jezusin, që kishte mbetur me popull. Për jetën e mëvonshme dhe kur ka vdekur nuk dimë asgjë.
Nderim i Sh`Jozefit ka filluar rreth vitit 850 në Rajenau (Reichenau), më vonë veçanërisht e kanë nxitur Shën Bernardi Klarvu-i (Clairvaux), Shën Tereza e Avilës, Shën Françesk Salesi, Gjon Gersoni, françeskanët dhe papa Siksti IV, i cili e ka futur festën e Shën Jozefit të obligueshme për tërë Kishën.
Në popuj të ndyshëm në mënyra të ndryshme nderohet Shën Jozefi. Ai është pajtor i të sëmurëve dhe atyre që janë në fill të vdekjes dhe është shembull i jetës familjare dhe tregon se si duhet shërbyer Jezusit, shpëtimtarit të njeriut.
Edhe në Besëlidhjen e Re Jozefi mbetet disi gjithmonë në prapavijë – nuk bie shumë në sy: asnjë fjalë nuk është mbartur më vonë për të. Duket sikur ka mbetur pa gojë kur e dëgjon Zotin në ëndërr dhe lejon të udhëhiqet prej tij. Edhe kur e sjellin Jezusin e vogël në tempull, flet vetëm Maria (Lk 2, 41-51). Edhe për vdekjen e tij nuk flitet asgjë, Jozefi thjesht largohet prej skenës.
Si Kisha ortodokse ashtu edhe ajo katolike e nderojnë Jozefin si shenjtë. Në kishën e lindjes fillon kulti i Jozefit shumë herët. Për herë të parë përmendet në një martirologji të perëndimit vetëm rreth vitit 850.
19 marsi ka qenë prej shekullit 10 dita e kujtimit të tij – qëllimisht i vendosur, për ta zëvendësuar festën e Minervës, perëndeshës romake të punëtorëve. Prej vitit 1621 është festë në kalendarin romak. Kulti i Jozefit përhapet prej shekullit 14 veçanërisht prej rregulltarëve.
Papa Klementi X me 1670 e ngrit ditën e Shën Jozefit në ditë feste. Me 1714 e pasuron papa Klementi XI (shqiptar) festën me një formular të veçantë të meshës dhe shërbesë të fjalës; papa Benedikti XIII e fut emrin e Jozefit në litanitë e gjithë shenjtërve.
Papa Piu IX e emëron Jozefin në vitin 1870 për pajtor të krejt Kishës Katolike, kurse Papa Piu XI e emëron në vitin 1937 për pajtor të të gjithë atyre që e luftojnë komunizmin. Festa e Shën Jozefit punëtor, u vendos nga papa Piu XII në vitin 1955 si ditë përkujtim, që Jozefin duhej lidhur me ditën e punës me 1 maj.
Edhe sot emri Jozef është i përhapur në mbarë botën me qindra variante nacionale (në shqip: Zef, Jozef ... në gjermanisht: Joseph, Sepp, Jupp, Beppo, Joop ose Joschka; kroatisht: Josip, Joska etj., italisht: Giuseppe ... etj.).
Sot ekzistojnë shumë famulli dhe popuj që e nderojnë si pajtorin e tyre.
Edhe pse Jozefi nuk mund të barazohet me Marinë, Nënën e Zotit, që është Hirëplote, pikërisht përvujtëria dhe besnikëria e tij, e bëjnë një shenjtë të madh, që dita ditës është zbuluar. Një është e sigurt: roli i tij në historinë e shëlbimit është i pazëvendësueshëm.
Veçantia e Virgjërës Mari, Zojës së Bekuar qëndron me mishërimin e Birit të Zotit në kraharorin e saj duke u bërë kështu “Nëna e Hyjit”, që lind Shëlbuesin. Kështu vepra e Marisë është ngjarje qendrore në historinë e shëlbimit.
Shkrimi Shenjt e paraqet Marinë si Grua (Eva e dytë dhe nëna e të shëlbuarve), ajo qëndron me krejt qenien e saj deri në “orën” e shpërblimit (nën kryq) me shenjtërinë e saj merr pozitën qendrore në historinë e shëlbimit. Në rastin e saj Kisha katolike e sheh rastin absolut, radikal të shëlbimit të njeriut, si e shëlbuar në mënyrë të përsosur dhe për këtë arsye si prototip i njeriut të shëlbuar dhe të Kishës në përgjithësi. Para se të lindë Shëlbuesi Zoti e përgatiti “vendin” për të “zbritur”. Ky “vend” i zgjedhur prej Zotit ishte Maria e lindur pa mëkat të rrjedhshëm. Edhe pse anëtare e njerëzimit, edhe ajo i pësoi pasojat e mëkatit të njerëzimit, për shkak të meritave të parapara të Zotit qe ngjizë pa mëkat të rrjedhshëm. Ajo ishte hirëplote. Ajo për këtë arsye ka qenë gjithmonë e pa mëkat.
Dinjiteti i Marisë ka qenë i pazbuluar në fillim për popullin, falë martesës legjitime me Jozefin sipas ligjeve dhe adeteve hebraike. Maria e jeton jetën religjioze në format që i praktikonte populli. Ajo e përcjell Jezusin deri në vdekje. Meqenëse si nënë dhe si e zgjedhur e Zotit nuk mund të dyshohet se ka vdekur me një përsosmëri të vërtetë të ekzistencës së saj tokësore, me fatin e të gjithë njerëzve duke e ndjekur të birin e vet edhe në vdekje. Ajo në ungjillin sipas Lukës thotë “që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur” (Lk 1,48), sepse e frymëzuar me Shpirtin Shenjt sheh se me çmimin e veprës së Zotit në të po ndodh në mënyrë të papërsërithsme çmimi i një madhështie gjithëpërfshirëse që Zoti ndonjëherë e ka bërë me njerëzimin. Si Nënë e Hyjit i kushtohet nderimi i veçantë fetar, që nuk ka kurrfarë lidhje me adhurim. Hiri i shenjtë që i është dhënë Zojës së Bekuar, i njëjti hir ndikon në zemrat e të gjithë besimtarëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.