2015-04-30 18:01:00

Kushtet e përjetshme në jetën rregulltare të motër Flora Gjoka


Komuniteti i motrave Dorote të Shën Paola Frassineti, kremtuar kushtet e përjetshme të Motër Flora Gjoka në këtë bashkësi rregulltare.

Thirrja e Zotit për jetën rregulltare, shenjë e shpresës së themeluar mbi fenë dhe dashurinë ndaj Hyjit e njeriut. Kështu mund të themi se kushtet e përjetshme që bëri motra shqiptare Flora Gjona në jetën rregulltare, përkojnë mirë me kontekstin e Vitit që sivjet Kisha ia kushton pikërisht jetës rregulltare e murgare. Kremtimi solemnt udhëhequr nga ipeshkvi i dioqezës së Sapës, në prani të eproreve të Kongregatës së Motrave Dorote të Shën Paola Frassineti, u mbajt në Kishën Katedrale Nënë Tereza në Vau-Dejës, të dielën që kaloi, po më hollësisht të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit..

KUSHTIMI I PËRJETSHËM I MOTËR FLORA GJOKA

Në këtë vit të Jetës së Kushtuar dhe në këtë kohë të gëzimit të Pashkëve, Zoti i dhuroi dioqezës së Sapës një tjetër gëzim. Bashkësia e motrave Dorote të Shën Paola Frassineti dhe familja Gjoka në të dielen e Bariut të Mirë, 26.04.2015, me gëzim të madh festuan kremtimin e kushteve të përjetshme të Motër Flora Gjoka. Të bashkuar rreth tryezës eukaristike në Katedralen Nënë Tereza në Vau-Dejës, besimtarë të famullisë së Shën Nikollit, familjarë, miq e të afërm të saj, falenderuan Zotin për dhuratën e kushtimit të Motër Flores, për thirrjen dhe vendosmërinë e saj për të marrë pjesë në misionin e Krishtit duke jetuar dhe duke e shpallur dashurinë e Ringjalljes së Tij.

E pranishme ishte edhe eprorja e përgjithshme e Motrave Dorote të Shën Paola Frassinetit, Jaci Dutra Pessoa, dhe Provincialja Motër Silvia Ostren të shoqëruara nga këshilltaret e tyre nga Roma. Kremtimi eukaristik u udhëhoq nga Ipeshkëvi i vendit Imzot Lucjan Avgustini në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë.

Ndërsa në fjalën e rastit, ipeshkvi u ndal në rëndësinë e thirrjes dhe jetës së kushtuar Zotit për lavdinë e tij dhe për shërbimin ndaj njerëzve. Çdo thirrje lind prej takimit të dy lirive, asaj hyjnore dhe asaj njerëzore. Çdo thirrje nxitet prej Zotit si një dhuratë për bashkësinë e krishterë. E thirrja e shenjtë është tharmi i Krishtit që brumos botën e krishterë, është shenjë e Zotit për të mirën e Kishës dhe popullit. Ndaj edhe motër Flora tha ipeshkvi, duke e pasur shembull Po-në e Marisë, shpreh dëshirën, jep përgjigjen dhe zgjedhjen për një përcaktim jetësor për të bashkëpunuar me Zotin sipas Kongregatës të themeluar nga Shenjtja Paola Frassineti.

Imzot Lucjani preferoi të citonte fjalët e Shën Gjon Pali II në “Nxitjen apostolike” i cili thotë: “Jetojeni në plotësi kushtimin tuaj Hyjit, për të mos lënë që kësaj bote t’i mungojë një rreze e bukurisë hyjnore e cila ndriçon ecjen e ekzistencës njerëzore”. Në përfundim nuk mungoi edhe porosia drejtuar motër Flores duke i thënë: Motër paraqitja Zotit bukurinë e kushtimit tënd, kushtoja plotësisht vetveten dhe do jetë pastaj Ai, Zotëria i cili do të përfundojë veprën. Bëhu dritë e cila rrezaton me ngrohtësinë dhe dashurinë e Krishtit Zot.

Pas predikimit, në prani të eprores, ipeshkëvit dhe mbarë bashkësisë, u mbajt riti i kushtimit të përjetshëm të motër Flores , që me liri dhe vetëdije të plotë shpalli zgjedhjen e saj dhe dëshirën për ta ndjekur Jezusin duke bërë Kushtet e Pastërtisë, Varfërisë dhe Dëgjesës si përgjigje feje të dashurisë falas të Hyjit. Motër Flora deklaroj publikisht se është e gatshme të kryejë vullnetin e Atit duke qenë shenjë e pranisë së Jezusit të Ringjallur në Botë, dhe me hirin e tij të dëshmojë se vetëm Hyji është plotësi për njeriun.

Motër Flora Gjoka  lindi në Pukë  me  20 /02/1974 në një familje ku dashuria e feja  ishin dy  binarë  që kanë bërë të mundur të rritet  dëshira  për t’ju dhuruar Zotit përgjithmonë. Është pagëzuar nga don Gjergj Vata në vitin 1993 dhe krezmuar në vitin 2001 nga Mons Dodë Gjergji. Mësimet e para dhe shkollën e mesme i kreu në vendlindje. Thirrja e saj për të ndjekur Jezusin e ka zanafillen  në famullinë e Shën Nikollit  të fshatit të lindjes Kçirë. Në vitin 2000 pasi familja u zhvendos me banim në qytezën e Vau Dejesit, motër Flora pati mundesi të njohë Motrat Dorote, e në veçanti moter Mariza Gobo, me të cilën hapi zemren dhe shprehi dëshiren e saj që prej shumë vitesh kishte pritur që të realizohej. Ajo thotë: kur kam takuar motrat Dorote për herë të parë, kam parë thjeshtësinë, kam ndjerë dashurinë dhe kam provuar kënaqësinë e të jetuarit së bashku për një qëllim “Ungjillin”. U pranua nga motrat në gusht të vitit 2001 dhe pas tre vitesh filloi noviciatin në Romë. Me  18/10 2008 bëri kushtet e para në kapelen e shenjtes Paola. Pas kushteve filloi misionin e saj në Shkodër duke shërbyer në famullinë e  “Zojes  Rruzare” Arra e Madhe, dhe duke ushtruar detyrën e kujdestares së konviktit hapur posaçërisht nga motrat Dorote për vajzat që vinin nga zonat malore për të studiuar në Shkodër, . Aktualisht po përfundon studimet në Seminarin Ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të mirë“ në Shkodër. 








All the contents on this site are copyrighted ©.