2015-04-29 18:52:00

Vatikan: dokument mbi luftën e Kishës kundër trafikut të njerëzve


“Njeriu nuk duhet të shitet e as të blihet kurrë, si të ishte mall tregu!”. Nga këto fjalë të Papës Françesku kundër trafikut, buron vullneti për ta thelluar angazhimin e krishterë kundër kësaj “plage të turpshme, të padenjë për shoqërinë civile”. Sipas statistikave të OKB-së, më se 2 milionë e 400 mijë vetë janë viktima të kësaj tregtie, shumica të paidentifikuar, që prandaj nuk do të kenë kurrë drejtësi për shpërdorimet e dëmet e pësuara.  Por ç’ndodh me këta skllevër të varfër modernë? Pa dinjitet, pa të drejta civile, mbi të gjitha, pa liri, detyrohen, herë me mashtrime e herë me dhunë, të bëjnë punë të detyruar, të shfrytëzohen seksualisht, të nënshtrohen pa fjalë për shkak borxhesh e formash të tjera, që i shndërrojnë nga njerëz të lirë, në shërbëtorë të papaguar a të paguar sa për të mbajtur frymën gjallë.  E, gjithnjë më shpesh, edhe në skllevër të mirëfilltë  I gjithë fitimi i punës së krahut të tyre shkon në xhepat e kriminelëve, që fitojnë rreth 32 milard në vit. Ndërsa rreziqet për fajtorët janë fare të pandjeshme: vetëm disa  shifra të papërfillshme dënimesh në mbarë botën. Tregtarët e turpit janë në gjendje ta blejnë lirinë me paratë e robërimit; drejtësinë, me paratë e padrejtësisë.

I duhet thënë ‘jo!’, lexohet në dokumentin kundër trafikut, kulturës së indiferencës, siç e quan Papa Françesku, si në vendet prej nga nisen skllevërit e kohëve moderne, ashtu edhe në tregjet ku shiten e blihen e ku kjo tregti nuk kundërshtohet në masën e duhur nga autoritetet, nga opinioni publik, nga edukatorët e as nga vetë Kisha. Sfida kërkon një rreze të gjerë aksionesh: së pari, sensibilizimin e njerëzve përmes mediave, programeve të edukimit, debatit publik e Kishës, me kongregatat e saj rregulltare, organizmat e besimtarët, që e kanë për detyrë të angazhohen, duke koordinuar  përpjekjet e globale.

Por, ç’duhet bërë konkretisht? Dokumenti, drejtuar Konferencave ipeshkvnore, Karitaseve ndërkombëtare, dioqezave e famullive, shpjegon kardinali Vegliò, ka për qëllim të nxisë veprimtari konkrete kundër trafikut, duke shfrytëzuar edhe praktikat pozitive, që po vihen në jetë në mbarë botën. Prej këndej, disa porosi konkrete për ta parandaluar trafikun, duke sensibilizuar grupet më të rrezikuara (për shembull, njerëzit në kërkim të punës në vendet e ndryshme, ose emigrantët e parregullt), e edhe grupet e tjera, si mësuesët e profesionistët (mjekët, meshtarët, infermierët, asistentët shoqërorë, funksionarët e qeverisë), publikun e, në përgjithësi, të gjithë ata, që e kanë për detyrë t’i kundërvihet kësaj plage të pashëruar, por jo të pashërueshme. Dokumenti përmban edhe porosi për asistencën e viktimave të trafikut në planin material, por edhe në atë psikik e shpirtëror, pastaj, këshilla mbi aspektet juridike e politike të emigracionit, për t’i mbrojtur të trafikuarit e për t’ia dorëzuar drejtësisë trafikantët. Këshilla të tjera, akoma, për të krijuar rrejte në nivelin lokal, kombëtar e ndërkombëtar, duke bashkëpunuar brenda Kishës katolike e edhe jashtë saj me partnerë ekumenikë, autoritete civile e organizma jo qeveritare.








All the contents on this site are copyrighted ©.