2015-04-28 13:43:00

Papa Françesku: pa Shpirtin Shenjt nuk e kuptojmë të vërtetën


Kisha ecën përpara falë të papriturave të Shpirtit Shenjt. Homelia e sotme e Papës Françesku, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, u përqendrua në predikimin e Ungjillit për paganët, që përshkruhet në Veprat e Apostujve. Ati i Shenjtë kërkoi më shumë “guxim apostolik”, që jeta e krishterë të mos mbyllet në muzeun e kujtimeve.

Mos kini frikë nga Zoti i të papriturave

         Dishepujt e Jezusit, ardhur nga Antiokia, filluan t’u predikonin jo vetëm hebrenjve, por edhe grekëve e paganëve, shumë prej të cilëve besuan dhe u kthyen në Tënzonë. Shpirti Shenjt veproi edhe mbi ta e falë Tij, Kisha e atëhershme e kuptoi se predikimi i Ungjillit duhej shtrirë. Që atëherë, Kisha ka qenë gjithnjë e hapur për veprimin e Shpirtit Shenjt. Që në profecitë, nënvizoi Papa Françesku, - për shembull, në kapitullin 60 të Librit të Isaisë - ishte shkruar që Zoti do të vinte për të shpëtuar të gjithë popujt, por jo të gjithë i kuptonin këto fjalë:

         “Nuk e kuptonin. Nuk kuptonin se Hyji është Zot i risive: ‘Unë e bëj gjithçka të re’, na thotë. Shpirti Shenjt zbret pikërisht për këtë, për të na risuar e për ta bërë vazhdimisht këtë punë. Kjo na shkakton pak frikë. Në historinë e Kishës vërejmë se nga ai çast e deri më sot, kemi pasur kaq shumë frikë nga të papriturat e Shpirtit Shenjt. Është Zoti i befasisë”.

Kisha ecën me risitë e Shpirtit Shenjt

         Por, vijoi Ati i Shenjtë, ka risi e risi! Disa nga të rejat shihet qartë se vijnë prej Zotit, të tjerat, jo. Si mund t’i dallojmë? Natyrisht, jo me inteligjencën tonë. Kur apostujt kuptonin diçka të re, në Bibël thuhet se “ishin plot me Shpirtin Shenjt”. Pra, theksoi Papa, mund të studiojmë sa të duam, por, pa ia hapur zemrën e mendjen Shpirtit Shenjt, nuk mund ta kuptojmë të vërtetën, nuk mund ta dëgjojmë zërin e Jezusit. Kisha ecën përpara falë Shpirtit Shenjt, që na bën ta dëgjojmë zërin e Zotit. E për të qenë të sigurtë se dëgjojmë pikërisht atë zë, duhet të lutemi, këshilloi Françesku:

         “Pa lutje, nuk ka vend për Shpirtin Shenjt. T’i lutemi Zotit që të na e japë këtë dhuratë: ‘O Zot, na jep Shpirtin Shenjt, që të shoshisim në çdo kohë, ç’duhet të bëjmë’, sepse nuk është gjithmonë njëlloj. Mesazhi është i njëjtë, por Kisha ecën përpara, me të papriturat, me risitë e Shpirtit Shenjt. Duhen shoshitur gjërat e, për të shoshitur duhet të lutemi, duhet ta kërkojmë këtë hir. Barnaba apostull ishte plot me Shpirtin Shenjt dhe kuptoi menjëherë; Shën Pjetri pa e tha: ‘Kush jam unë për të mohuar Pagëzimin?’. Është Hyji që s’na lë të gabojmë. ‘Por, more atë, pse të hyjmë në kaq probleme? Le të bëjmë gjërat, që kemi bërë gjithmonë, se jemi më të sigurtë….’”.

Jeta e krishterë nuk është muze kujtimesh

         Nëse sillemi kështu, paralajmëroi Papa, shkojmë drejt vdekjes, drejt shuarjes. Me lutje e përvujtëri, duhen pranuar të gjitha ndryshimet, për të cilat na nxit Shpirti Shenjt, theksoi Françesku:

         “Zoti na ka thënë se po të hamë nga Korpi i tij e po të pijmë nga Gjaku i tij, do të kemi jetë. Tani ta vazhdojmë kremtimin, me këto fjalë: ‘O Zot, Ti që je këtu me ne në Eukaristi, Ti që je brenda nesh, na jep hirin e Shpirtit Shenjt. Na jep hirin të mos kemi frikë kur Shpirti Shenjt, me siguri, na thotë të bëjmë një hap përpara’. E në këtë meshë, të lutemi për këtë guxim apostolik, që të sjellim jetë e të mos e kthejmë jetën tonë të krishterë në muze kujtimesh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.