2015-04-28 14:18:00

Mase 5.000 viktima në Nepal. Papa dërgon 100 mijë dollarë


Bilanci i viktimave në Nepal ka kaluar mase 5.000 vetë, por mund të arrijë deri në 6.000, sipas Karitasit në vend. Kombet e Bashkuara saktësojnë se numri i njerëzve të përfshirë nga tërmeti, që lëkundi “majën e botës”, është rreth 8 milion, por ata, që kanë nevojë urgjente për ushqim dhe asistencë, arrijnë në 1.4 milion.

Në garën e solidaritetit për të dëmtuarit nga tërmeti hyn edhe Papa Françesku. Përmes Këshillit Papnor “Cor Unum”, organizmi i bamirësisë së Atit të Shenjtë, Nepalit i është dhënë një kontribut i parë prej 100 mijë dollarësh. Kjo shumë, si zakonisht, i jepet Kishës vendase, sqaron një komunikatë e Vatikanit. Që në fillim e angazhuar në ndihmën për të dëmtuarit nga tërmeti, kjo Kishë do t’i përdorë këto fonde – shenjë inkurajimi e afërsie atërore e Papës për nepalezët - aty ku e sheh më të nevojshme. Ndërkaq, OKB-ja ka vënë në dispozicion 15 milion dollarë. Siç njofton Karitasi, popullsia ka nevojë për gjithçka: strehë, ushqim, mjete higjienike e, jo më pak, edhe për ndihmë shpirtërore, sepse mbizotëron dëshpërimi. Lagje e fshatra të tëra janë bërë rrafsh me tokën e shumë njerëz, nuk dihet janë gjallë a vdekur. E nuk është e lehtë mbërritja e ndihmave dhe e vullnetarëve, për shkak të shkatërrimit të përgjithshëm. Drejtoresha e UNESCO-s, Irina Bokova, flet edhe për katastrofë të trashëgimisë artistike dhe kulturore të vendit. Tre nga shtatë vendet e kultit në zonën e Kathmandusë janë dëmtuar shumë rëndë.

Të dëgjojmë dëshminë e një tregtari të qytetit, Shyam Citracar"Kathmandu është katastrofë! Të gjitha sheshet janë shkatërruar, shumë tempuj janë shembur. Të shtunën isha në punë e para dyqanit ngrihej një tempull: e pashë të binte…diçka e pabesueshme! S’kemi parë kurrë gjëra të tilla, në gjithë jetën tonë! Sa më shumë kalojnë ditët, aq më vështirë bëhet. Njerëzve u nevojiten ilaçe, sepse ka rrezik të përhapen sëmundje”.

Shyam Citracar është hinduist. Ja ç’na tha për lutjen e Papës Françesku në Mbretëreshën Qiellore të së dielës: “Faleminderit Papës e faleminderit të gjithë atyre, që janë lutur për ne. Mësova dje se Papa, në Vatikan, është lutur: konsultova Facebook-un e mora vesh se Papa është lutur në shesh për Nepalin. I them popullsisë së Nepalit të jetë e guximshme, të qëndrojë e bashkuar, duke ndihmuar njëri-tjetrin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.