2015-04-27 16:12:00

Unesco. Patriarku Raì mbi të krishterët e persekutuar në Lindje të Mesme


“Në pikë të natës, u drejtoj thirrjen të gjithë atyre që janë në pritje të agimit”. “Shpërngulja e të krishterëve nga Vendet e tyre të zanafillës, do ta ligështojë edhe më shumë rolin e myslimanëve të moderuar”. Kjo është thirrja mallëngjyese dhe dëshpëruese në favor të Kishave e të popujve të persekutuar në Lindje të Mesme, që të shtunën e kaluar bëri nga tribuna e Unesco-s – posa mbërrini në Paris – Patriarku maronit Béchara Raì.  “Komuniteti ndërkombëtar – nguli këmbë kreu i Kishës maronite – po tregohet tepër i ngadalshëm në ndalimin e veprës vdekjeprurëse e shkatërrimtare të vrastarëve të pa fe e të pa kufij”.
Patriarku maronit kardinali Béchara Raì – njofton agjencia AsiaNews – mbërrini në Francë nga Armenia, ku, si përfaqësues i Patriarkëve lindor, mori pjesë në ceremoninë e njëqind vjetorit të masakrës së armenëve. Kardinali Béchara Raì do të qëndrojë në Francë katër ditë, nesër ka në program një takim zyrtar me presidentin francez François Hollande.
Dita e parë e qëndrimit u karakterizua nga fjalimi mbajtur në Unesco, mbi temën “Prezenca e krishterë në Lindje të Mesme dhe roli i tij në promovimin e kulturës së paqes”. Patriarku maronit foli në praninë e Irina Bokova, drejtoreshë e përgjithshme e Unesco-s, të presidentit të Këshillit drejtues të organizmit Mohammad Sameh Arme e të ambasadorit Khalil Karam, delegat permanent i Libanit pranë organizmit të OKB-së specializuar në edukim, shkencë e kulturë. Si historian i regjur, patriarku, patriarku Raì përshkoi një excursus të “pranisë së krishterë dymijë vjeçare në Lindje të mesme”, e nënvizoi rolin promovues të kulturës së paqes garantuar nga prezenca (megjithëse pakicë) e të krishterëve dhe propozoi disa mënyra për ta ruajtur këtë trashëgimi të rëndësishme për të gjithë.
Në fjalimin e tij, patriarku maronit i Libanit, si kusht të parë për ruajtjen e kësaj prezence, vuri “zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinze”. Sfidë kjo që duket jo e lehtë për t’u përballuar. Në vijim të fjalimit, Patriarku kujtoi se, në planin historik, perëndimi i qytetërimit arabo-mysliman ka përkuar me “shuarjen e shoqërisë së krishterë “ dhe tërhoqi vëmendjen se “shpërngulja e të krishterëve nga Vendet e tyre të prejardhjes, do ta ligështojë rolin e vet myslimanëve të moderuar, që deri tani përfaqësojnë pjesën dërmuese të myslimanëve të Lindjes së Mesme”.
Së fundi, kardinali Raì bëri një qortim: “Nga tribuna e Unesco-s, unë kam ardhur këtu për të ju sjell zërin e atyre, të cilëve u është heq zëri. Kam ardhur këtu për t’u treguar për dëshpërimin e miliona refugjatëve, të pastrehëve, të moshuarve e fëmijëve, të grave e burrave që kanë humbur zërin e tyre, të cilëve u kanë vjedhur Vendlindjen e tyre dhe të mirat e tyre, duke shkatërruar të ardhmen e tyre. Jam këtu për të dëshmuar dhimbjen e pafund e të patregueshme të sa e sa njerëzve që janë të persekutuar për shkak të fesë së tyre, të atyre që janë ofenduar e sulmuar në emër të Zotit të mëshirës, që lutet nga goja e vrastarëve të pashpirt. Jam këtu për të klithur me zë të lartë në mbrojtje të kauzës së atyre që presin mbarimin e natës e shpresojnë në shpëtimin që mund të vijë nga bashkësia ndërkombëtare, e cila po vonon të ndërhyjë për ta ndalur veprën e vdekjes që po kryejnë vrastarët të pa fe e të pa kufij”. “Nga thellësia e zemrës së natës që na mbulon, në terrin më të errët që na rrethon, u bëjë thirrje të gjithë atyre që janë pritje të agimit, në Lindje ashtu si në Perëndim, në Evropë si edhe në botën arabe, të krishterë e besimtarë të islamit – shtoi patriarku maronit – që të na ndihmojnë ta përforcojmë shpresën e t’i ngushëllojmë më shumë popujt e braktisur, të pambrojtur, të dëbuar e të persekutuar, në këtë dëshirë të hidhur të tyre që të mos dorëzohet para vështirësive”.








All the contents on this site are copyrighted ©.