2015-04-27 17:44:00

Papa Françesku, nesër, me Mattarella-n, Ban Ki-moon dhe Maria Voce


Papa Françesku do të presë nesër në Shtëpizën Piu IV, në Kopshtet e Vatikanit, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, kryetaren e Lëvizjes së Fokolarinëve, Maria Voce dhe presidentin e Republikës Italiane, Sergio Mattarella, të cilët do të marrin pjesë në seminarin me temë: “Të mbrojmë tokën, të fisnikërojmë njerëzimin. Përmasat morale të ndryshimeve të klimës dhe të qëndrimit të njerëzimit”.

         “Seminari – njoftohet në faqen e internetit të Akademisë Papnore të Shkencave, një nga institucionet organizatore – dëshiron të informojë e të arrijë një konsensus mbi faktin se vlerat e zhvillimit të qëndrueshëm përkojnë me vlerat e traditave kryesore fetare, me kujdes të veçantë për më të brishtët. Gjithashtu, synon ta rrisë nivelin e debatit mbi përmasat morale të mbrojtjes së ambientit, para Enciklikës papnore, që të krijohet një lëvizje botërore ndërfetare në favor të zhvillimit të qëndrueshëm, për të luftuar kështu, ndryshimet e klimës në vitin 2015 e më vonë. Urohet nënshkrimi i një deklarate të përbashkët mbi rëndësinë morale dhe fetare të zhvillimit të qëndrueshëm, që nënvizon lidhjen e brendshme ndërmjet respektit për ambientin dhe respektit për njerëzit, sidomos për më të varfërit, për të përjashtuarit, për viktimat e trafikut e të skllavërive moderne, për fëmijët e brezat e ardhshëm”.

         Seminari organizohet nga Akademia Papnore e Shkencave, nga OKB-ja dhe nga “Religions for Peace”, organizatë në të cilën është bashkëkryetare, Maria Voce.








All the contents on this site are copyrighted ©.