2015-04-27 16:27:00

Nepal: popullsia e dërrmuar, Konferenca ipeshkvnore italiane dërgon 3 milionë euro


Skenar shkatërrimi: më se 3700 të vdekurit, mbi  6.000 të plagosurit e një mori fshatrash me 70% të shtëpive bërë rrafsh me tokë. Kjo është pamja e Nepalit pas tërmetit të fuqishëm prej 7,9 ballë të shkallës Rihter, që nisi të shtunën e kaluar, për të vijuar me 45 lëkundje të tjera, disa pothuajse po aq të fuqishme sa e para, në një vend që mezi mbahet në këmbë. Dje, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa u lut për viktimat, për të plagosurit dhe për të gjithë ata, që po vuajnë nga shkaku i kësaj fatkeqësie natyrore. 

Kathmandu, qytet fantazmë! Ndërtesa të rrënuara: nga banesat, tek tempujt, duke përfshirë edhe Dharahara Tower historike, pasuri e njerëzimit. Të rrënuara shtëpitë e edhe më të rrënura fytyrat e njerëzve, që mezi bëlbëzojnë, për të treguar me dy fjalë tragjedinë e jetës së tyre. “Situatë vërtet e dëshpëruar” thotë Kamal Singh Bam, zëdhënës i policisë. Ushtria, rreth 100 mijë ushtarë, është angazhuar në operacionet e ndihmës, por udhët janë të rrënuara e komunikimi me fshatrat e largëta, i ndërprerë. Emergjenca më e rëndë ndjehet në zonën e Sindhupalchowk, jo larg Kathmandusë, ndonëse  tashmë në të gjithë luginën e në mbarë vendin shihen veç rrënoja. Edhe organizata botërore e shëndetit (Oms) flet për një situatë tejet të rëndë: të gjitha parqet e kopshtet publike, ndërmjet të cilave edhe ai i Pallatit mbretëror, janë zënë nga të pastrehët. Spitalet nuk kanë më asnjë vend të lirë. Kryesia e Konferencës ipeshkvnore italiane dërgoi, përmes nuncit apostolik në Nepal e në Indi, imzot Salvatore Pennacchio, 3 milionë euro për nevojat e emergjencës. Sot paradite, sipas njoftimit të agjencisë Fides, mëkëmbësi apostolik i Nepalit, ipeshkvi katolik Paul Simick, kremtoi një meshë drite për viktimat. Jezuiti Pius Perumana, drejtor i Karitasit të Nepalit, njofton se bilanci i viktimave mund të rritet, duke i kaluar 6000 të vdekurit. Por, ta dëgjojmë, nga Kathmandu, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Situata është e rëndë, vërtet e rëndë: njerëzit kanë mbetur në rrugë të madhe, pa çati mbi kokë. Disa po përdorin lëndë plastike për t’u mbrojtur nga shiu… por shumë janë pa asnjë strehë. Në disa zona të Kathmandusë bie shi e temperaturat kanë zbritur shumë. Mungojnë ushqimet, uji i pijshëm e popullsia ka nevojë të ngutshme për strehë,     ushqime, mjete higjienike. Operacionet e ndihmës vijojnë papushim, sepse shumë njerëz kanë mbetur nën gërmadhat e ndërtesave të shembura: nuk  dimë as nëse janë të gjallë apo të vdekur. Kjo, situata, në evolucion të vazhdueshëm…. me frikën e lëkundjeve të reja e të reshjeve të shiut të akullt, mbi të pastrehët…








All the contents on this site are copyrighted ©.