2015-04-27 18:08:00

Françesku në Fatima më 2017, në njëqindvjetorin e dukjeve të Zojës


Njoftimin e dha imzot Maro, ipeshkëv i Leiria-Fatimës, pas audiencës private tek Papa. E në këtë audiencë Françesku shprehu dëshirën  të vizitojë Fatimën e Portugalinë, në vitin 2017, në njëqindvjetorin e dukjeve  mariane.

Sipas një deklarate, botuar në faqen e internetit të dioqezës e të Shenjtërores së Fatimës, rimarrë nga agjencia Ecclesia, Françesku i tha ipeshkvit: “Nëse Zoti do të më japë jetë e shëndet, dëshiroj të jem në Cova da Iria (vendi i dukjeve e i Shenjtërores së Fatimës), brenda dy vjetëve”, duke e autorizuar ta  bëjë publik këtë ndjet.

Audienca u mbajt për të trajtuar çështje të ndryshme lidhur me Fatimën,  sidomos, për krijimin e mundësive të risimit baritor, sipas dëshirës së Papës.

Ipeshkvi i Leiria-Fatimës i dorëzoi Françeskut një ofertë në para nga Shenjtërorja, për të ndihmuar të varfërit e Papës argjentinas, i cili u prek thellë nga ky gjest. Imzot Marto e falënderoi Atin e Shenjtë për fazën e gëzimit e të freskisë, që po i sjell ditë për ditë Kishës papnia e tij, shtohet në deklaratë.

Françesku ka marrë ftesa për të vizituar Portugalinë në vitin 2017 si nga ana qeverisë, ashtu edhe nga Konferenca ipeshkvnore e nga dioqeza e Leiria-Fatimës. Në muajin shkurt, pasi u krijua kardinal, patriarku i Lisbonës, Manuel Josè Macário do Nascimento Clemente, pohoi se në Vatikan  të gjithë besojnë tashmë se Papa do ta vizitojë Portugalinë në vitin 2017, pas ftesave që kujtuam më sipër.

“Është njëqindvjetori i Fatimës e Fatima zë një vend tejet të rëndësishëm në jetën e miliona e miliona katolikëve në mbarë botën. Papa Pali VI e vizitoi në vitin 1967 e, pas tij, Gjon Pali II e Benedikti XVI. Shpresojmë se do të vijë edhe Papa Françesku”, u tha kardinali gazetarëve.

Françesku do të ishte, kështu, Papa i katërt që do ta vizitonte Fatimën , pas Palit VI (1967),  Gjon Palit II (1982, 1991 e 2000), e Benediktit XVI (2010).








All the contents on this site are copyrighted ©.