2015-04-26 17:02:00

Papa meshtarëve të rinj: jo, homeli të mërzitshme; të mos i refuzohet askujt Pagëzimi


“Të mbajnë homeli, që nuk janë të mërzitshme”, “Të mos ia refuzojnë kurrë pagëzimin kujt e kërkon”, “të jenë të mëshirshëm”, “t’i pëlqejnë Zotit, jo vetvetes”: këto, porositë e Papës Françesku gjatë Meshës së sotme kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, me ritin e shugurimit meshtarak për 19 diakonë, në Ditën e 52-të botërore të lutjes për thirrjet meshtarake. Trembëdhjetë nga meshtarët e rinj u formuan në dioqezën e Romës e vijnë  nga Kolegji dioqezan misionar Redemptoris Mater, nga Seminari i madh papnor romak dhe nga seminari i Zojës së Dashurisë Hyjnore. Gjashtë të tjerët i përkasin Kongregacionit të Familjes së Dishepujve të Urdhërit Françeskan të Fretërve të Vegjël Konventualë e një, ritit siro-malabarez të dioqezës së Thamarassery. Shumica do ta ushtrojnë shërbesën në dioqezën e Papës.

Jezusi, kryemeshtar

“Shëmbëllejini Krishtit kryemeshtar i amshuar”, për të qenë “predikatarë të Ungjillit, barinj të popullit të Hyjit”, duke i prirë në veprimtaritë e kultit, posaçërisht në kremtimin e flijimit të Zotit”. Kjo është figura, që skicoi Papa për të 19 meshtarët e shuguruar sot në Bazilikën e Vatikanit. Në homelinë rituale, sipas botimit italian të Pontifikalit Romak, e në shtesat personale, kujtoi se “Jezusi është kryemeshtari i Besëlidhjes së Re, por edhe se në Të, mbarë populli i Zotit, u bë popull meshtarak”. Papa nënvizoi, më pas, se ndër të gjithë dishepujt, Zoti deshi të zgjidhte disa që, duke e ushtruar publikisht në Kishë, në emrin e Tij, shërbesën meshtarake në favor të të gjithë njerëzve, ta vijonin misionin e Tij personal si mësues, meshtar e bari”.

E ata, të 19-tët, të thirrur një nga një me emër, u përgjigjën:

“Byeon Micael Junsoo: ja ku jam!...”.

Papa konfirmoi, pastaj, se i zgjedh këta vëllezër në urdhërin e presbiteratit:

“Ipeshkvi rrezikon-rrezikon! - e i zgjedh ata, ashtu si Ati qiellor, që rrezikoi për secilin nga ne”.

Homeli jo të mërzitshme, por që të hyjnë në zemër

Të saposhuguruarve, Françesku u shpjegoi se me ushtrimin e shërbesës së doktrinës së shenjtë, do të marrin pjesë në misionin e Jezusit, mësuesit të vetëm, do t’ua dhurojnë të gjithëve Fjalën e Zotit, të marrë me gëzim, duke e lexuar e duke e medituar këtë Fjalë.

"Homelitë tuaja nuk duhet të jenë të mërzitshme, homelitë tuaja duhet të arrijnë drejt e në zemër të njerëzve, sepse të dala drejt nga zemra juaj. Kështu dhurohet Fjala e Zotit e kështu doktrina juaj do të jetë gëzim e mbështetje për besimtarët në Krishtin; parfumi i jetës suaj, do të jetë dëshmia, sepse shembulli të mëson, ndërsa fjalët pa shembull, janë fjalë boshe, ide që nuk arrijnë kurrë në zemër, e madje bëjnë keq, në vend që të bënin mirë".

Mëshirë, falje, Pagëzim kujt e kërkon

19 meshtarët e rinj do të vijojnë veprën shenjtëruese të Zotit. Mesha, nënvizoi, nuk është ritual artificial, prej këndej, nuk duhet kremtuar ngutshëm; duhet imituar, çka kremtohet, duke marrë pjesë në misterin e vdekjes e të ngjalljes së Zotit, duke e mbartur vdekjen e Zotit në gjymtyrë e duke ecur pas Tij në risinë e jetës.

"Me Pagëzimin do t’i shtoni besimtarë të rinj popullit të Hyjit. Mos ia refuzoni kurrë Pagëzimin, atij që e kërkon! Me Sakramentin e Pendesës, do t’i zgjidhni mëkatet në emër të Krishtit e të Kishës. E unë, në emër të Jezu Krishtit, Zotit e Nuses së Tij, Kishës Shenjte, ju kërkoj të mos lodheni kurrë së qeni të mëshirshëm. Në rrëfyestore ju do të jeni për të falur, jo për të dënuar. Duhet t’i përngjani Atit, që nuk lodhet kurrë duke falur".

T’i pëlqeni Zotit e jo të krekoseni

“Pastaj, me vajin e shenjtë, meshtarët e rinj do t’ua lehtësojnë vuajtjet të sëmurëve e, duke kremtuar ritet e shenjta e duke lartuar në orët e ndryshme të ditës uratën e lavdërimit e të lutjes, do të bëhen zë i popullit të Zotit dhe i mbarë njerëzimit”. Papa, pra, i nxiti ta ushtrojnë me gëzim e dashuri të sinqertë veprimtarinë meshtarake të Krishtit, me një dëshirë të vetme: t’i pëlqejnë Zotit, jo vetvetes.

“Është i pakëndshëm meshtari, që jeton për t’i pëlqyer vetvetes, meshtari që kreskoset!”.

T’u shërbehet të tjerëve

Angazhimi, vijoi, duhet të jetë për t’i bashkuar besimtarët në një familje të vetme, për të qenë shërbëtorë të unitetit të Kishës, në familje, për t’i prirë drejt Hyjit Atë, përmes Krishtit, në Shpirtin  Shenjt:

“Duhet ta keni gjithnjë parasysh shembullin e  Bariut të Mirë, që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer; nuk erdhi për të shikuar rehatinë e vet, por për të dalë, për të kërkuar e për të shpëtuar atë, që ishte i humbur”.

Të shuguruarit, para se të vishnin stolën e kazulën, duke pasur pëllëmbën e dorës të lyer me bagmin shenjt e duke pasë marrë bukën e verën, përgatitur për kremtim, u përgjigjën:

“Po, dëshiroj!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.