2015-04-26 18:19:00

Dita e Lutjes për Thirrjet. E Lume, Maria Elisabetta Turgeon


Të dielën më 26 prill, në të gjithë botën,kremtohet  Dita e 52-të e Lutjes për Thirrjet meshtarake e rregulltare. Zakonisht, ajo kremtohet çdo vit në të Dielën e katërt pas Pashkëve. Tema e sivjetme është marrë nga Enciklika “Evangelii Gaudium”: “Thirrjet dhe shenjtëria: të prekur nga Bukuria” (167;264). Ajo shpreh forcën dhe bukurinë e marrëdhënieve me Jezusin Zot, i cili, duke prekur çdo zemër njeriu, vazhdon të mbjellë kudo farën e dëshirës për t’ia kushtuar jetën Hyjit. “Çfarë është bukuria, që shkrimtarë, poetë, muzikantë, artistë e kundrojnë dhe e interpretojnë përmes gjuhës së tyre, përveçse pasqyrimi i shkëlqimit të Fjalës së amshuar bërë njeri?”, shkruante Benedikti XVI. E rruga e bukurisë dhe e joshjes, që ushtron ndër ne, dashuria që tregon për njerëzimin Biri i Zotit, mund të jetë kantieri i thirrjeve të reja për të gjithë ata, që e ndjejnë në zemër se Jezusi u thotë: “Eja e më ndiq”.

Papa Françesku na shpjegon si duhet jetuar ky çast: “Thirrja për t’ia kushtuar jetën Zotit do të thotë të jetosh me dashuri e ta ofrosh dëshminë personale të krishterë në punën e përditshme; kjo na ndihmon të bëhemi shenjtorë, të jemi shenjë e dukshme e dashurisë së Zotit dhe e pranisë së Tij përkrah secilit prej nesh”.

Pikërisht, në këtë ditë, në Kanada, shpallet e Lume themeluesja e Kongregatës së Motrave të Zojës së Rruzares, Maria Elisabetta Turgeon. Murgeshat e kësaj Kongregate i kushtohen edukimit të brezit të ri, përmes shkollave të përhapura kudo në vend. Meshën e lumnimit e kremton i dërguari i Papës Françesku, kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.