2015-04-26 11:20:00

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit kishtar


E diel 26 prill, Kisha katolike kremton të dielën e 4-të të Pashkëve e po sot më 26 prill, kremtohet festa e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtorës qiellore të shqiptarëve. Festa i bashkon shpirtërisht gjithë shqiptarët rreth figurës së Zojës së Bekuar në shenjtëroren kombëtare rrëzë Kështjellës Rozafa të Shkodrës, rrënimi dhe rindërtimi i së cilës do të mbetet në shekuj si simbol i ikjes e i rikthimit të përsëritur të Nënës së Zotit në trojet e në zemrat e shqiptarëve. Figurja e mrekullueshme e Zojës së Këshillit të Mirë, origjinali i së cilës ndodhet në Gjenacan afër Romës, pasqyron gjithë historinë e katolicizmit në Shqipëri.

Të hënën, më 27 prill, kalendari përkujton Shën Simeonin, ipeshkëv i Jeruzalemit e martir. Liturgjia e kësaj dite e nxit besimtarin t’i bëjë vetes një pyetje që përshkon shekujt: “Si është e mundur që Jezusi të na ftojë të hamë korpin e Tij?”- e njëkohësisht të marrë përgjigjen: “Buka e tij nuk është si ajo hëngrën etërit e vdiqën. Korpi e gjaku i Tij janë bukë e vërtetë dhe pije e vërtetë!

Të martën më 28 prill, kalendari përkujton Shën Pjetrin Shanel, meshtar e martir i Oqeanisë dhe Shën Luigjin Grinjon de Montfort, meshtar, themelues i Shoqërisë së Marisë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se, për fat të keq, shumë nga nxënësit, nuk i pranuan fjalët e Jezusit e u larguan nga Ai. Juda e tradhtoi. Ndërsa feja e Kishës u shpreh në besojmën e Pjetrit Apostull, që na kujton se e vetmja rrugë e drejtë është ajo që na çon te Krishti, sepse vetëm Ai i “ka fjalët e jetës së pasosur!”. 

Të mërkurën më 29 prill, kalendari përkujton Shën Katerinën e Sienës, virgjër, doktoreshë e Kishës, Pajtore e Italisë dhe bashkëpajtore e Evropës.Shën Katerina e Sienës me jetën e saj tregoi se vetëm dashuria e pasionuar për Krishtin e Kryqëzuar i sjell dritën e Zotit të ngjallur Kishës e shoqërisë civile. Liturgjia e ditës na kujton se gjithë jeta e Krishtit dëshmon se në zemrën e Zotit ka gjithnjë vend për çdo njeri, këndej edhe për ne. Gjithçka bëri Jezusi, e sidomos vdekja e ngjallja e Tij, janë vepër e Atit. E edhe gjithçka na ndodh në jetë, në se besojmë në Krishtin, na çon te Ati, që është gati t’i shpëtojë gjithë njerëzit e mbarë popujt. 

Të enjten më 30 prill, kalendari përkujton Shën Piun V papë e Shën Kuirinin, martir.Liturgjia e festës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim. Liturgjia e të martës na fton të bashkojmë zërin në thirrjen: “Bekoje, o Zot, veprën e duarve tua”. 

Të premten më 1 maji, bie festa e Shën Jozefit punëtor që, duke e mbajtur Familjen Shenjte me punën dhe mundin e duarve të veta, u bë shembull e pajtor i të gjithë punëtorëve e të gjithë njerëzve që plotësojnë nevojat e familjes së tyre e të mbarë familjes njerëzore me punën e përditshme të duarve të tyre. Po me 1 maj për Kishën katolike fillon edhe muaji i Zojës.

Të shtunën më 2 maj, kalendari përkujton Shën Athanasin, ipeshkëv i Aleksandrisë dhe doktor i Kishës. Liturgjia e kësaj dite na thotë se Jezusi na dëftoi Fjalën e Zotit e fytyrën e Atit: të besosh në Të do të thotë ta shpëtosh jetën tënde të përkohshme, të ecësh në dritë e të gjesh jetën e pasosur me Hyjin Atë. 

Të dielën e ardhshme më 3 maj, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 5.të Pashkëve e po më 3 maj, kalendari do të përkujtojë edhe Shenjtorët Filipin e Jakun e Vogël, Apostuj dhe shën Evecin, Aleksandrin e Teodulin, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se përmes Jezusit hyjmë në bashkim me Atin Qiellor në Shpirtin Shenjt. Jezu na prin drejt Atit për të na bërë të jetojmë në Të jetën e vetë Trinisë Shenjte.








All the contents on this site are copyrighted ©.