2015-04-25 16:18:00

Expo. Papa në përurim me lidhje të drejtpërdrejtë


Papa  Françesku do të marrë pjesë më 1 maj në ceremoninë e përurimit të Expo të Milanos 2015 me një lidhje të drejtpërdrejtë, që do të realizohet përmes bashkëpunimit të Rai, Qendrës Televizive të Vatikanit dhe Radio Vatikanit. “Vendimi i Papës për të marrë pjesë në hapjen e Ekspozitës universale, njofton një komunikatë e dioqezës së Milanos, flet përsëri për interesimin e Kishës lidhur me tematikën, që kujtohet nga kryetema e Expo: ‘Të ushqehet planeti. Energji për jetën’, së cilës i kushtohet ky edicion i Milanos”. Vetë Kisha katolike merr pjesë në ngjarjen e madhe, në forma të ndryshme.

Kujtojmë se Expo 2015 i kushtohet temës së sigurimit ushqimor për mbarë njerëzimin, me synim për t’i dhënë fund dramës së urisë.

Selia e Shenjtë do të jetë e pranishme zyrtarisht në këtë veprimtari të rëndësishme, si vend ekspozues, me pavijonin e saj. Në qendër të vëmendjes së pavijonit, përvoja e ushqimit, me të gjitha vlerat e veta, parë si zemër e jetës së krishterë, sepse çast i rritjes njerëzore e shpirtërore, i lidhjes e i solidarietit, i ndihmës e i kujdesit, i punës e i zhvillimit.   E tema e bukës së përditshme, që e kujtojmë në Atynë e që është simbol i ushqimit në përgjithësi, të nxit të reflektosh për edukimin fetar, drejtësinë, paqen, marrëdhëniet ndërmjet popujve, ekonominë, ekologjinë.

“Jo vetëm me bukë”, është prandaj, tema qëndrore. Pavijoni  është realizuar tashmë e do të drejtohet nga Konferenca ipeshkvnore italiane dhe Dioqeza e Milanos, në bashkëpunim me Këshillin Papnor të Kulturës. Kështu Kisha ambroziane, në territorin e së cilës zhvillohet Expo, do të ketë mundësi të tregojë nismat e veprimtaritë e saj më të rëndësishme, në përkim me temën e pavijonit. Një kopsht për t’u ruajtur; një gjellë për t’u ndarë së bashku; një sofër, që edukon; një bukë, që e bën të pranishëm Zotin në botë janë, thënë simbolikisht, “kapitujt”, përmes të cilëve organizohet pavijoni, i bazuar mbi disa shprehje të ndryshme artistike, që nga më tradicionalet, tek më të rejat. Për t’u njohur me hollësitë e pranisë së Selisë së Shenjtë në Expo e për të qenë gjithnjë të përditësuar, duke ndjekur të gjitha veprimtaritë e reflektimet lidhur me këtë ngjarje, janë aktivizuar kanale të veçanta komunikimi: faqja e internetit expoholysee. Org; profili Twitter @expoholysee, faqja e internetit www.expo. caritasambrosiana.it, një blog: www.expoblogcaritas.com e dy profile  twitter @expoblogcaritas e @caritas_milano. 

Prani tjetër zyrtare e Kishës katolike në Ekspozitën universale, është ajo e Caritas Internationalis, organizëm që përfshin të gjitha Karitaset e botës e që do të jetë në Milano si “Civil Society Participant”. Hapësira ekspozuese do të jetë një qoshk i madh, që do të ketë në qendër një vepër të rëndësishme të artit bashkëkohor.

Vizitës i prin mesazhi “Ndaj, për të shumëfishuar. Thyeje bukën”, që bën të njohur fushatën botërore të Karitasit kundër dramës së urisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.