2015-04-24 18:07:00

Sfidat baritore të familjes, në takimin e ipeshkvijve të Evropës Juglindore


Përfundoi më 21 prill, në Bukuresht të Rumanisë, mbledhja e kryetarëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës Juglindore, ku mori pjesë edhe kryeipeshkvi metropolit i Shkodrës, imzot Angelo Massafra. Sfidat baritore të vendeve të zonës janë të ngjashme, prandaj prelatët diskutuan së bashku disa çështje mbi temën e familjes, në kuadrin e përgatitjes për Sinodin e zakonshëm të Ipeshkvijve mbi familjen, që do të mbahet në tetor të këtij viti. Në dialogun ndërmjet tyre, ipeshkvijtë u ndalën në martesat e përziera katoliko-ortodokse, të cilat, nëse jetohen si duhet, janë përvojë e pastër e dialogut ekumenik. Ekzistojnë gjithsesi probleme, për shkak të konceptimit të ndryshëm të martesës e të natyrës së saj sakramentore.

Në ekonominë e globalizuar, u vu në dukje në mbledhje, shumë njerëz të aftë për punë nga Evropa Juglindore marrin rrugën e emigracionit. Kjo paraqet disa sfida për familjen, të cilat ipeshkvijtë kërkuan t’i përballojnë edhe me bashkëpunimin baritor të Kishës në vendet, ku shkojnë emigrantët.

Përsa i përket përgatitjes për martesë, ipeshkvijtë theksuan se çdo besimtar duhet të ndjehet i mirëpritur në Kishë. Ata vunë në dukje sfidat, që paraqet kultura e sotme digjitale, e cila kërkon pjekurinë e interpretimit. Baritoria e familjes, u nënvizua në takim, nuk është masive, por ka të bëjë me marrëdhëniet personale dhe me afërsinë me secilin besimtar. Në këtë fushë, është shumë e rëndësishme edhe dëshmia e çifteve, që  shoqërojnë, sidomos në Evropën Juglindore, çastet e lumtura e sprovat e anëtarëve të tjerë të bashkësisë. Gjithashtu, në zonën ballkanike, janë arsye shprese grupet e familjeve dhe lëvizjet, që i kushtohen punës me familjet, duke e ndihmuar shumë Kishën. Familja e krishterë, u kujtua në fund, rritet e zhvillohet me Eukaristinë e së dielës, kur e gjithë Kisha ulet në sofrën e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.