2015-04-24 18:33:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të të kohës së Pashkëve ‘B’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë Hyjnore të së dielës. Kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 4-të të kohës liturgjike të Pashkëve. E diela e 4-të e Pashkëve është e diela e “Bariut të Mirë”, e vërtetë, në pjesën ungjillore të kësaj së diele, Jezusi prezantohet si "bari i mirë" që e "dhuron jetën për delet" e veta. Në këtë të diele të Pashkëve, Jezu Krishti Ngjallur na paraqitet në takim me fytyrën e Bariut të mirë. Ky imazh, kaq i dashur për dëftimin (zbulimin) biblik, shpreh përkushtimin e Zotit ndaj nesh. Nëse Zoti është bariu ynë, ne jemi grigja e tij. Në librin biblik të Daljes (Dl 19,5) lexojmë: “Tani, nëse do të ma dëgjoni zëri tim e do ta ruani dhe mbani Besëlidhjen time, ndër të gjithë popujt, ju do të jeni për prona ime e veçantë”.
Fjalën hebraike segullah që do të thotë “pronë”, mund ta përkthejmë edhe me fjalën “grigjë”. E kujtojmë se Izraeli, para besëlidhjes solemne në Sinaj, është pranuar e njohur si grigjë e Zotit, si e mira e tij e panjehsueshme (e tillë është grigja për bariun). Segullah pastaj lidhur ngushtë me fjalën akadike sikiltu, që do të thotë thesar i çmueshëm i Zotit. Prandaj, kur Jezusi pohon: “Unë jam bariu i mirë” (Gjn 10.11), ai jo vetëm mishëron përkushtimin e Hyjit Atë ndaj popullit, por e shpall çdo njeri si pasuri të çmueshme të Atit Qiellor, si një të mirë tejet të çmueshme të Tij. 
Jezusi nënvizon edhe një aspekt tjetër të rëndësishëm të fjalës “bari”, kualifikimin kalos - i “mirë”. Fjala greke kalos nuk do të thotë vetëm i “mirë” (cilësi morale) por edhe i “drejtë”, i “përshtatshëm”. Jezusi është pra bariu i drejtë, që realizon në vete dhe rreth vetes përhap dashurinë e butë e përdëllyese të Atit Qiellor; një dashuri që dhuron jetën personale deri në vdekje. Ja se pse kalos përkthehet edhe me epitetin tjetër i “bukur”. Krishti është “i bukur” sepse është mishërim i shkëlqyeshëm i dashurisë dhuruese të Atit Hyjnor. Jezu Krishti pra është bariu i mirë që na mbledhë e na bashkon për të formuar prej popullit të tij në një grigjë të vetme. Ta dëgjojmë zërin e Tij, të mblidhemi rreth Tij, për të jetuar si bijë e bija të Zotit dhe për të zbuluar kuptimin e shijen e vërtetë të jetës sonë. 
Çdo të diel në kohën e Pashkëve, leximet biblike të Meshës së Shenjtë na flasin për dashuri, për mirësi dhe përdëllim të Zotit Jezus. Këtë Ai e ka treguar e pohuar me mundimet, vdekjen dhe ngjalljen e Tij. Ky është misteri i Pashkëve. Dashurinë që Jezusi e ka për ne, në pjesën ungjillore të kësaj së diele nga Gjoni 10, 11-18, e shfaq përmes shembullit të Bariut të Mirë, titull me të cilin Ai paraqitet si Udhë, e Vërtetë dhe Jetë për njerëzit. Bukuria magjepsëse e Bariut është mirësia e tij dhe guximi i tij. Ai i mbron delet kundër ujqve, duke e ofruar, madje e dhuruar jetën e tij për jetën e tyre, sikur dëshmon kryqi i tij.
                                            Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Vap 4, 8-12
Mrekullia e kryer nga Pjetri dhe Gjoni duke shëruar të paralizuarin është shenjë e fuqisë së Jezusit, ai Jezus që autoritetet fetare e kanë kryqëzuar dhe që Hyji Atë e ka ringjallur. Mrekullia është prova se Jezusi është gjallë dhe që kohrat e fundit kanë filluar: do të thotë koha e kishës. Pjetri fillon predikimin e emrit të Zotit Jezus: kush beson në emrin e tij beson se fitorja e tij mbi vdekjen dhe mëkatin vazhdon akoma edhe sot. Kush është i pagëzuar bashkëpunon sot me Krishtin për shpëtimin e çdo njeriu.

Lexim prej Veprave të Apostujve
Në atë ditë, Pjetri, plot me Shpirt Shenjt, tha: “Kryetarë të popullit dhe pleq! Pasi ju sot po na merrni në përgjegjësi për një vepër të mirë që ia bëmë një të sëmuri e po na pyesni si ky njeri u shërua, le të dijë secili prej jush dhe mbarë populli i Izraelit: ky njeri qëndron para jush shëndosh në saje të Emrit të Jezu Krishtit Nazarenas, që ju e kryqëzuat, por që Hyji e ngjalli prej së vdekuri. Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit’, e vetëm nëpër Të fitohet shëlbimi. Sepse, për të vërtetë, s’ka asnjë person tjetër nën këtë kupë qielli që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shëlbohemi.”  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 118
Guri i qitur jashtë përdorimit, 
u bë gur i këndit


Lavdërojni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!
Më mirë është të strehohesh te Zoti
se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti
se të kesh besim në princa.
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar

dhe u bëre Shpëtimtari im.
Guri, që e qitën jashtë përdorimit
ndërtuesit, erdhi e u bë guri këndit;
Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!

Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

Ti je Hyji im, ty të falënderoj;
Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!

Leximi dytë 1 Gjn 3, 1-2
Ringjallja e Krishtit nuk është për të gjithë, por vetëm për ata që besojnë. Ata që refuzojnë t’i besojnë Krishtit mbyllen ndaj mundësisë për të njohur jetën e Hyjit të pranishme në besimtarët. Hyji na ka dashur aq shumë saqë mund të quhemi bijtë e tij dhe ka shpërndarë në ne bamirësinë e tij prej Ati. Nëse me të vërtetë jetojmë si bij të Hyjit dëshmojmë dashurinë e Atit dhe i ftojmë të tjerë ta njohin.

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull
Fort të dashur, shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

Aleluja, aleluja.

Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti: i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
Aleluja

Ungjilli Gjn 10, 11-18
Jezusi, bariu i vërtetë që kujdeset për delet e tija (njerëzit e të gjitha kohërave) dhe i mbron nga “ujku” (djalli dhe mëkati) që gjithmonë i kërcënon. Jezusi është një bari që na lë të lirë ta zgjedhim dhe të vendosim. Ai është bariu i mirë që nuk kërkon interesat dhe lavdinë e tij; nuk është një kryetar që manipulon turmat: i propozon secilit miqësinë e Atit. Ai nuk pretendon të bëjë një grigjë të mbyllur dhe të përsosur, por kërkon delet e largëta dhe të sëmura.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi tha: “Unë jam Bariu i mirë. Bariu i mirë e jep jetën e vet për dele. Rrogëtari, - që s’është bari, të cilit nuk i përkasin dhentë – kur sheh se po vjen ujku, lë dhentë e ikën – e ujku i rrëmben dhe i shpërndan: është rrogëtar dhe s’është në kujdes për dhen. 
Unë jam Bariu i mirë: i njoh të miat dhe ato më njohin mua. Sikurse Ati më njeh mua dhe unë e njoh Atin edhe jetën e jap për dele. Kam edhe tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm. Prandaj edhe më do Ati, sepse e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma marrë: por unë e jap prej vetes. Kam pushtet ta jap jetën e kam pushtet ta kthej prapë atë. Këtë urdhër e mora prej Atit tim.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Programin tonë kushtuar liturgjisë së Fjalës së Zotit të së dielës, mund ta dëgjoni edhe këtu....

 








All the contents on this site are copyrighted ©.