2015-04-24 11:45:00

Françesku: ta kujtojmë gjithnjë takimin me Jezusin, që na e shndërroi jetën


“Jezusi nuk e harron kurrë ditën, kur na takoi për të parën herë. T’i kërkojmë Zotit hirin që edhe ne ta kujtojmë gjithnjë”. Këtë theksoi sot Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Kapelën e  Shtëpisë së Shën Martës.

Takimi! Është mënyra, që zgjodhi Jezusi, për t’ua shndërruar jetën të tjerëve. Figurë simbolike e këtij shndërrimi është Pali i Tarsit, që niset për Damask si persekutues i të krishterëve e arrin si Apostull. Papa Françesku u ndalua pikërisht tek episodi i mirënjohur, i propozuar nga liturgjia e sotme, duke e zgjeruar vështrimin mbi mijëra e mijëra takime, me të cilat njihemi nësa shfletojmë Ungjillin.

Takimi i parë

Më saktësisht, Françesku e shikon si “takim të parë” me Jezusin, atë që ia shndërron jetën njeriut, ballë për ballë Zotit. Si ia shndërroi Gjonit e Andreut, që kaluan me Mësuesin  “një mbrëmje të tërë”; Simonit, që bëhet menjëherë “shkëmb” i bashkësisë së re; e pastaj samaritanes; të gërbulurit, që kthehet mbrapa  dhe e falënderon Mësuesin, sepse ia përtëriu edhe një herë shëndetin e humbur; gruas me hemorragji, që shërohet vetëm duke prekur petkun e Krishtit… Takime vendimtare, që duhet ta nxisin të krishterin, pohoi Papa, të mos e shlyejë kurrë më nga kujtesa pikëpjekjen me Jezusin. Ky është themeli i fesë: takova Jezusin, si Sauli, sot!

Ta kujtojmë çdo ditë  

Duke kujtuar takimin, a takimet me Jezusin, ta pyesim me sinqeritet, shtoi Françesku: “Kur më the diçka, që ma shndërroi jetën, ose më ftove të bëj këtë hap përpara në jetë?”:

“Kjo është një lutje e bukur e ju porosis ta thoni çdo ditë. E kur ta kujtoni, gëzohuni me këtë kujtim, që është kujtim dashurie”. Një detyrë tjetër e bukur do të ishte të marrësh Ungjijtë e të njihesh aty me gjithë ato histori e të shikosh sesi Jezusi takohet me njerëzit, si i zgjedh apostujt… Me shumë takime mund të njihesh aty, takime të njeriut me Jezusin… Ndoshta ndonjë nga këto takime i përngjan takimit tim me Jezusin. Secili ka kujtimin e vet”.

Të mos e harrojmë dashurinë e parë

E të mos e harrojmë edhe, shtoi Papa, se Krishti e dëshiron lidhjen me ne  si marrëdhënie dashurie, sy për sy e zemër për zemër.

Të lutemi e të kërkojmë hirin e kujtesës: “Kur, o Zot, u takuam, kur e patëm këtë takim dashurie?”. Për të mos e dëgjuar, një ditë, qortimin, që bën Zoti në Librin e Zbulesës: “Kundër teje kam këtë: ti e harrove dashurinë e parë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.