Më 25 prill, bie 22 vjetori i vizitës së parë të një Pape të Romës në Shqipëri.
Dita historike e paharrueshme e 25 prillit 1993, ishte ditë kur Papa Shën Gjon Palit
II shkeli në tokën shqiptare duke puthur truallin e nëpërkëmbur të shqipeve. Kjo tokë
fisnike e martire, gjatë dimrit të gjatë e të egër kaluar nën regjimin ateist të komunizmit,
i dha Kishës Universale kaq shumë martirë për Krishtin, e shoqërisë Arbënore njerëz
të paepur, që dëshmuan vlerat njerëzore, intelektuale, shpirtërore dhe shoqërore që
nuk perëndojnë kurrë.
E atë 25 prill të vitit 1993 Papa Shën Gjon Pali II duke u drejtuar qytetarëve dhe
besimtarëve të pranishëm në Sheshin Skënderbe në Tiranë mes tjerash theksoi: “Në çiltërsinë
tuaj pashë guximin e një demokracie të re, të një demokracie që po ecën me hapa të
sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund dhe të errët të një diktature dhe të
ateizmi mbytës”. E pastaj nxitja atërore për të sotmen: “Shqipëri qëndro në lartësinë
e detyrave që të presin”, e thirrja për kujtesën e përhershme: “të mos harrohet e
kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”.., ”kjo liri e besimit
fetar, të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e
Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë, sepse liria
e besimit në Hyjin është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë. Ajo prek
njeriun në intimitetin e vet, në atë pik të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjja,
ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin, dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit
të vet. Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi
asnjë çrregullimi shoqëror....Siç na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët,
që të gjithë jemi vëllezër”.
Kështu, Papa Gjon Pali II, që tani nderohet nga mbarë bota si shenjtor, në Bazilikën
e Shën Pjetrit në Vatikan, atë ditë historike të 25 prillit të vitit 1993, Kishës
katolike shqiptare të martirizuar, i dha hierarkinë e parë të pas diktaturës së komunizmit,
klasës udhëheqëse të vendit, i tregoi udhën e demokracisë së mirëfilltë, ndërsa të
gjithë qytetarëve, u kujtoi vlerën e vëllazërimit dhe të harmonisë vërtetë të larmishme
e pluraliste fetare e shoqërore, si thesar për të sotmen e të nesërmen. Duke kujtuar vizitën e Papës Shën Gjon Palit II në Shqipëri, mund të pohojmë
faktin e pamohueshëm e një prove të mëtejshme se as Zoti nuk e pati braktisur kurrë
Shqipërinë, dhe as shqiptarët nuk e mënjanuan e mohuan Zotin nga zemra e jeta e tyre.
Koha e diktaturës na tregoi fytyrën më të vrazhdët të njeriut e të një shoqërie pa
Zot. Ngjarje si vizita e Papës Wojtila në Shqipëri, na ripohojnë se me Zoti jeta e
njeriut dhe shoqëria shkëlqejnë me virtyte e vlera që realizojnë e gëzojnë individin
dhe komunitetin njerëzor.
All the contents on this site are copyrighted ©. |