2015-04-23 18:31:00

Scholas Occurentes kundër indiferencës. Maradona: Papa është fenomen


Nismat dhe projektet e “Scholas Occurentes” (shkollat e takimit), organizatës edukative ndërkombëtare promovuar nga Papa Françesku, kanë qenë në qendër të një konference shtypi, mbajtur pranë Radio Vatikanit. Në këtë konferencë shtypi ndërhyri, pas takimit privat që pati me Atin e Shenjtë Jorge Bergoglio në shtëpinë e shën Martës në Vatikan, edhe ish futbollisti argjentinas Diego Armando Maradona.
Audienca private u realizua në kuadrin e nismave pikërisht të “Scholas Occurentes” (shkollat e takimit), rrjetit edukativ mbështetur prej kohësh nga Ati i Shenjtë Bergoglio. Të martën e kaluar Papa nënshkroi një bashkëpunim pesë vjeçar me drejtorin ekzekutiv të Unicefit, Anthony Lake, për zgjerimin dhe mundësinë e pjesëmarrjes sa më të madhe të të rinjve më të varfër në programet e kësaj shkolle si ato në fushën e teknologjisë, artit e sportit. Pastaj, një marrëveshje të dytë, Papa e nënshkroi me Konfederatën e Futbollit të Amerikës së Jugut (Conmebol), e cila do të mundësojë caktimin e dhjetë dollarëve për çdo gol të Kupës së ardhshme Amerikane, që do të luhet këtë vit në Kili, për aktivitetin edukativ të Scholas Occurentes” në vendet pjesëmarrëse. Në këtë kuadër Papa takoi sot edhe “el pibe de oro”. Maradona mund të organizojë me Scholas Occurentes, një lojë futbolli për paqen, në stadiumin Olimpik të Romës, pas ndeshjes, gjithnjë të frymëzuar nga Papa Françesku, që u luajt më 1 shtatorin e kaluar. Pra Diego Armando Maradona është përkrahës i nismave të Papës në ndihmë të të rinjve.  Në konferencën e sotme të shtypit Maradona mes tjerash tha:
“Dua ta falënderoj sinqerisht Papa Françeskun për tërë dashurinë që më dha. Sot besoj se të gjithë ne e pranojmë e njohim se ai është një person fenomenal, i cili do të bëjë diçka për të rinjtë  e vërtetë kemi një Papë të mrekullueshëm. Kemi folur për shumë gjëra, për impenjimin e lojtarëve se si mund t’i ndihmojnë fëmijët, që në shumë vise të botës, nuk kanë as për të ngrënë. E jemi krejtësisht dakord, por do të duhet shumë kohë. Sot mund të them se jam përkrahës i Françeskut. Përkrahësi parë i Françeskut jam unë”.
Mbi takimin me Atin e Shenjtë, Maradona pastaj shtoi..
“Ati i Shenjtë më ka trajtuar si një vëlla e në të njëjtën mënyrë i trajton të gjithë. Ai e trajton në të njëjtën mënyrë edhe botën: puth të gjithë, përqafon të gjithë. Ai ka pak kohë në dispozicion, punon jashtëzakonisht shumë por gjithmonë gjen kohë për të gjithë”.
“Është diçka e mrekullueshme – shtoi më tej Maradona- ta takosh Papa Françeskun e të marrësh pjesë në nismat sportive përmes të cilave ai synon t’i ndihmojë të rinjtë: Ajo që po përjetoj është një ëndërr. Pikërisht këtë kam dëshiruar të bëja prej kohësh. Unë kam luajtur futboll e sot janë të rinjtë tjerë që vazhdojnë të luajnë futboll, të cilëve u duhen blerë këpucët e përshtatshme, ndërtuar fushat e përshtatshme ku mund të luajnë, fusha që nuk ekzistojnë. Ajo që ne me Scolas duam të bëjmë është t’i ndihmojmë. E të gjithë lojtarët, të gjithë lojtarët e futbollit janë me Françeskun”.








All the contents on this site are copyrighted ©.