2015-04-22 18:32:00

Vatikani: dialogu me Islamin sot më shumë se kurrë, besimtarët, forcë për paqen


“Shumica e myslimanëve “nuk ka të bëjë me mizoritë terroristike, që e përdorin fenë për qëllimet e tyre. Dialogu me Islamin mbetet detyrë, sepse besimtarët, të bashkuar, përbëjnë një fuqi të jashtëzakonshme në mbrojtje të paqes”. Janë disa nga konsideratat e një Deklarate, përhapur nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar.

“A ka ende e hapësirë për të dialoguar me myslimanët?”. Përgjigja është: “Po, sot më shumë se kurrë”. Nis me këtë bindje të padiskutueshme Deklarata e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, që e përjashton çdo përpjekje për të vënë shenjën e  barazimit ndërmjet fesë islame e dhunës.

Kush beson në Zotin nuk mund ta pranojë dhunën

Pa marrë parasysh llahtaret e kronikave më të freskëta, që flasin për rrezikun e thellimit të urrejtjes, të dhunës e të terrorizmit si dhe për dënimin në rritje të myslimanëve e të fesë së tyre, parë si shkaktarë të gjithë këtij kobi, me Islamin mund e duhet dialoguar. E ky dialog sepse, mbi të gjitha, pohohet, shumica e vetë myslimanëve distancohet nga mizoritë, që po trondisin botën.

Terrorizmi, njollë turpi

“Të vrasësh, në emër të fesë,  pohohet në notë, nuk është vetëm fyerje e Zotit, por edhe disfatë e njerëzimit. Benedikti XVI, kujtohet në dokument, në vitin 2006 përdori fjalë të ashpra lidhur me këtë, duke theksuar se “asnjë rrethanë nuk mund të përdoret për ta justifikuar terrorizmin” i cili e mbulon me turp, atë që e ushtron e bëhet edhe më i dënueshëm, kur e përdor fenë si mburojë, duke e matur, kështu, të vërtetën e Hyjit, me kutin e  verbërisë  e të mbrapshtisë së vet morale”. Prandaj, i bën jehonë Papa Françesku, me atë që tha në nëntorin e kaluar në Ankara, “dhuna që kërkon justifikim fetar, meriton dënim të ashpër, sepse i Gjithëpushtetshmi është Zot i jetës dhe i paqes”.

Forcë e jashtëzakonshme e paqes

Nga ana tjetër, vijon Deklarata, besimtarët përbëjnë një forcë të jashtëzakonshme për paqen, e, pa dashur të imponojnë vizionin e tyre për njeriun dhe historinë, me kërkimin e dialogut, përpiqen të na propozojnë respektimin e ndryshimeve, larminë mendimit e të fesë, mbrojtjen e  dinjitetit njerëzor e dashurinë për të vërtetën. E duhet të vijojmë të dialogojmë, edhe kur provohet persekutimi, i cili mund të kthehet në shenjë shprese.

Familja e shkolla, kyçe të vëllazërisë

Deklarata e Këshillit Papnor përfundon me ftesën për të marrë guxim e për ta rishikuar cilësinë e jetës në familje, mënyrën si mësohet feja e historia e edhe përmbajtjen e predikimeve në vendet tona të kultit. Posaçërisht familja dhe shkolla, përfundon Deklarata, janë kyçet që hapin dyert për një botë të së nesërmes, që bazohet mbi respektin reciprok e vëllazërinë.  








All the contents on this site are copyrighted ©.