2015-04-21 15:00:00

Papa: Kisha e martirëve, të bashkohemi me vëllezërit e persekutuar


“Kisha jonë është Kishë e martirëve”. Në homelinë e meshës kremtuar sot në mëngjes në shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, duke u ndalur te martirizimi i Shën Shtjefnit, për çka rrëfejnë Veprat e Apostujve, leximi parë i Meshës së sotme, Papa Françesku kujtoi me fjalë plot emocion të gjitha ata njerëz që sot janë të persekutuar e të vrarë vetëm pse janë të krishterë.

E Ati i Shenjtë Bergoglio nënvizoi se ka edhe “të krishterë të fshehur” që kërkojnë udhë të reja për t’i ndihmuar vëllezërit e për këtë arsye persekutohen nga “Sinedrat modern”. Nga skena dramatike e martirit të parë të Kishës, shën Shtjefnit, Papa shtjelloi homelinë e tij, duke kujtuar fytyrat e historitë e shumë martirëve të sotëm, të cilët, si martiri parë Shtjefni, persekutohen e vriten vetëm pse janë ndjekës besnik të Jezusit. Martirët, vërejti Papa, nuk kanë nevojë për “bukë tjerë”, sepse buka e tyre e vetme është Jezusi. E nënvizoi se Shtjefni “nuk pati nevojë të shkonte të negocionte, të bënte kompromise”. “Dëshmia e tij  është e tillë sa që denigruesit e tij “nuk mund t’i qëndronin urtisë” e shpirtit “me të cilin ai fliste”. Si Jezusi, edhe Shtjefnit vdiq “me atë shpirt të madh të krishterë të faljes, të lutjes për armiqtë”.  E në vijim të homelisë Papa “kujtoi se Historia e e Kishës, Historia e vërtetë e Kishës, është Historia e Shenjtorëve dhe martirëve: martirë të persekutuar, shumë të vrarë, nga ata që mendonin se po i jepnin lavdi Hyjit, nga ata që besonin se posedonin ‘të vërtetën’. Njerëz me zemër të korruptuar. “
Edhe këtyre ditëve, sa shumë Shtjefna ka në botë! Të mendojmë në vëllezërit tanë të therur në plazhin e Libisë; të mendojmë në atë djaloshin e djegur për së gjalli nga shokët e tij vetëm pse ishte i krishterë; të mendojmë në ata emigrantë që u hedhën në ujëra nga emigrantët tjerë, vetëm pse ishin të krishterë; të mendojmë – në ditën e pardjeshme – në ata etiopë, të vrarë vetëm pse ishin të krishterë... e sa e sa të tjerë. E ka akoma shumë tjerë për të cilët nuk kemi dijeni, që vuajnë nëpër burgje e ne marrim bekimin e Zotit për dëshminë e tyre”. “Të bashkohemi me Jezusin në Eukaristi, e të bashkohemi me kaq shumë vëllezër e motra që vuajnë martirizimin e persekutimit, të shpifjes e të vrasjes pse janë besnik ndaj bukës së vetme që ushqen e nginë, do të thotë ndaj Jezusit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.