2015-04-21 12:11:00

Papa Françesku: gjaku martirëve britmë që duhet dëgjuar nga bashkësia ndërkombëtare


Dhimbja e Papës për koptët e vrarë në Libi e për të gjithë të krishterët e persekutuar. Në mesazhin e ngushëllimit dërguar Abuna Matthias, Patriarkut të Kishës Ortodokse  Tewhedos Etipoike, Papa Françesku shpreh dhimbjen e tij të thellë për “tmerret” e përsëritura për të satën herë e që pësojnë pareshtur të krishterët e pafajshëm, kësaj hera ata etiopë që ndodhën në Libi e në disa vise tjera të botës, “të vrarë vetëm për faktin se janë ithtarët të Zotit e Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht”. Papa i siguron Kishës Etiope “afërsinë e tij në lutje para martirizimit të vazhdueshëm e brutal që pësojnë të krishterët në Afrikë, në Lindje të Mesme e në disa rajone të Azisë”.

“Nuk ka kurrfarë dallimi – nënvizon Papa – për viktimat që janë katolikë, koptë, ortodoksë apo protestantë. Gjaku i tyre është i njëjtë që derdhet për shkak të rrëfimit të fesë së tyre në Krishtin Zot!”. “Në këtë periudhë të Pashkëve, momenti më i rëndësishëm kohor për të krishterët, “gëzimi ynë, që nuk mungon kurrë, është turbulluar nga dhimbja. E prapëseprapë, ne e dimë se jeta që jetojmë në dashurinë përdëllyese të Zotit është më e fortë se vuajtja që të përjetojnë të gjithë të krishterët, një vuajtje që bashkon burrat e gratë vullnet mirë në të gjitha tradita fetare”.

Me këto fjalë, Papa Françesku shpreh “tmerrin dhe dhimbjen e tij të madhe” për të krishterët etiopë të vrarë në Libi. “Gjaku i vëllezërve dhe motrave tona të krishtera është një dëshmi që klithë me zë të lartë për t’u dëgjuar nga të gjithë ata që akoma dimë ta dallojmë të mirën nga e keqja. E kjo britmë duhet të dëgjohet sidomos nga ata që kanë në dorë fatet e popujve”. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin e tij të ngushëllimit për etiopët e vrarë në Libi, dërguar Patriarkut të Kishës ortodokse etiope, Abuna Matthias.








All the contents on this site are copyrighted ©.