2015-04-21 18:56:00

Marjan Topalli :Thirrja dhuratë e Shenjtë drejt Bariut të Mirë


Në Kishën famullitare të “Shna Ndout” në Prishtinë, me 14 mars  2015, gjatë Meshës Shenjte të udhëhequr nga ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, në bashkremtim me meshtarë dhe një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të familjarëve, miqve e të  besimtarëve, katër seminarist  kosovarë pranuan shërbesat e ndryshme që parashikon kisha gjatë formimit të tyre për meshtari. Kështu një për Ad Misio, një tjetër Lektor, dhe dy të tjerë Akolitë. Në vijim ju propozojmë dëshminë e njërit prej këtyre seminaristëve, atë të Marjan Topalli

“Fillimisht dua të theksoj fjalët e “Shën Gjon Palit II” duke kujtuar që Thirrja është Dhuratë dhe Mister. Dua të falënderoj Zotin për dhuratën e Jetës, Familjes, dhe Thirrjes Shenjte. Prandaj para se të përshkruaj për përshtypjet e mija për pranimin si kandidat zyrtar në Diakonat dhe Presbiterat, përshkruaj shkurtimisht historinë e thirrjes sime: Dëshiroj të përshkruaj momentin kur Zoti ka prekur zemrën time. Gjatë shkollës së mesme, isha aktiv në futboll, por gjeja kohë të isha aktiv edhe në Kishë, dhe dëshiroja t’i ndihmoja famullitarit në çdo aktivitet. Çdo ditë që shkoja në meshë diçka më e fortë më tërheqtë, por futbolli më merrte shumë kohë. Kështu që vendosa të largohem prej futbollit, sepse në zemrën time dëgjoja një thirrje më të fortë. Ndër momentet kulminante të thirrjes së Zotit, ka qenë vizita me famullitarin në familje të sëmurëve, dhe më bënte përshtypje mënyra se si i trajtonte të sëmurët me dashuri dhe kujdes. Kjo dëshmi më ka tronditur, si është e mundur?! Pastaj gjatë bisedës në kthim famullitari më ka thënë: sikur të bëhesh një ditë meshtar, të sëmurët duhet dashur me shumë dashuri dhe kujdes të veçantë.

Qëllimi i hyrjes në Seminar ka qenë për të kuptuar më mirë këtë mister të thirrjes së Zotit. Gjatë katër viteve që jam në Seminar, e kam shoshitur mirë thirrjen që Zoti më ka falur. Falë shoqërimit të Atit shpirtëror dhe ndihmës së formatorëve, kam kuptuar më mirë thirrjen si dhuratë të Zotit. Gjatë viteve të Filozofisë dhe tani në vitin e parë të Teologjisë, jam rritur më shumë nga ana shpirtërore, njerëzore, intelektuale, dhe baritore. Në momentin që kam vendosur t’i përgjigjem thirrjes së Zotit më liri dhe vullnet, çdo gjë që kam bërë, bëj dhe do të bëj është në shërbim të thirrjes së Zotit. Jezusi që më thërret çdo ditë dhe unë mundohem që t’i përgjigjem për të bashkëndarë misionin e Tij.

Gjatë përgatitjes për pranimin si kandidat Diakonat dhe Presbiterat: mbi të gjitha kam kërkuar Hirin e Zotit që të vetëdijesohem për domethënien e kësaj gjëje, sepse është Krishti që më ka zgjedhur mua, dhe unë jam dhurata që Hyji Atë i ka bërë Krishtit, me qëllim që nëpërmjet Shpirtit Shenjtë, të më bëjë njeri të Hyjit dhe shërbëtor të Mbretërisë. Me autoritetin e Krishtit dhe në emër të tij, në fakt, një ditë do të më duhet ta vazhdoj misionin duke shërbyer në Kishë nëpërmjet Fjalës dhe Sakramenteve. Kjo ecje e imja, është duke u orientuar krejt kah njohja dhe dashuria e Krishtit bari, duke qenë mirënjohës për ato gjëra që më dhuron, duke ditur që tani se në ecjen time është mbjellë kryqi i Mësuesit, që e ndriçon përmes shpresës së ngjalljes. Të kaluarës i them faleminderit, të tashmes dhe të ardhmes i them Po! Në këtë mënyrë ripërtërij çdo ditë përgjigjen time ndaj Zotit: “ Ja, ku më ke, çomë mua” ( Is 6,8).

Në Kishën e “Shna Ndout” në Prishtinë me 14.03.2015, në Meshën Shenjte të udhëhequr nga imzot Dodë Gjergji, në bashkremtim me Meshtarët, dhe pjesëmarrës në meshë familjarë dhe miq, ishim katër seminarist për pranimin e shërbesave: unë për Ad Misio, një tjetër Lektor, dhe dy të tjerë Akolit. Përshtypjet e mija gjatë ritit të pranimit janë këto: ndihesha i emocionuar, por edhe i lumtur, jo vetëm si kandidat zyrtar për Diakonat dhe Presbiterat, por për faktin se tashmë kam bërë hapin e parë zyrtar drejt Altarit, që në të ardhmen të kremtoj me gëzim sakramentet ministeriale. I vetëdijshëm për padenjësinë time, por gjithmonë i nxitur nga dashuria e Krishtit për të vazhduar dhe realizuar këtë mision, duke kujtuar fjalët e Shën Palit: “E di kujt i kam besuar jetën ...”. Në këtë mënyrë pra duke ju hapur Hirit të Zotit, duke lejuar që të veproj në mua, që të marr formën krejtësisht sipas stilit të Jezusit bariut të mirë, që të jem një gjymtyrë e gjallë e Kishës. Krejt në fund, ishte organizuar Dreka nga famullitari i Kishës së “Shna Ndout”, Don Rrok Gjonlleshaj, dhe gjatë drekës kemi bashkëndarë momente gëzimi dhe falënderimi me familjar dhe miq tanë.

Me gjithatë duke falënderuar Zotin për këtë ditë dhe të gjithë ata që ishin të pranishëm, e në mënyrë të veçantë ata që kujdesen për ecjen time formative: eprorët – formator: Don Leonardo Falco, Don Gjovalin Simoni, At Marino Riti e At Mario Imperatori. I lutem ndërmjetësimit të Virgjërës Mari që të na ruaj dhe të na ndihmoj në ecjen me Birin e saj Jezusin, që të jemi të shenjtë gjithë jetën tonë.

Marjan Topalli. Viti – I – Teologji.   Për: Radio Vatikan. Shkodër.








All the contents on this site are copyrighted ©.