2015-04-20 18:22:00

Në kujtim të epopesë së Mic Sokolit, simbol i luftës së shqiptarëve për liri!


Prilli 1881 shënonte betejat e fundme të Lidhjes së Prizrenit dhe shpërndarjen e saj nga Porta e Lartë, që nisi ekspeditën e kryesuar nga Dervish Pasha për të shtypur me forcë lëvizjen autonomiste të shqiptarëve. 

Më 20 prill 1881 ushtritë osmane, të ndara në dy kolona, morën urdhër të fillonin sulmin kundër forcave shqiptare të vendosura në Slivovë dhe në Shtimje. Ndeshja e parë me ushtritë osmane ndodhi më 20 prill në Slivovë. Edhe pse me municion të pakët, në saje të qëndrueshmërisë së tyre, shqiptarët e ndalën për mjaft orë përparimin e armikut. Por gjendja e tyre u keqësua kur hyri në veprim artileria fushore turke. Duke parë dëmin që po u shkaktonte luftëtarëve një bateri e armikut, komandanti i këtij sektori, Mic Sokoli nga Bujani i Malësisë së Gjakovës, së bashku me disa luftëtarë të tjerë, lanë pozicionet mbrojtëse dhe u hodhën drejt kodrës ku ishte vendosur artileria turke. Qëllimi i tyre ishte të sulmonin dhe të asgjësonin baterinë e armatosur, që po u shkaktonte dëme shqiptarëve. Të gjithë këta luftëtarë trima, së bashku me komandantin e tyre Mic Sokolin, u vranë duke u vënë gjoksin grykave të topave të artilerisë osmane. Luftonte gjoksi i shqiptarit kundër topit të turkut! Heroizmi i Mic Sokolit mbeti në histori e u bë frymëzim për vijimin e luftës për liri. Po aq frymëzoi edhe artistët që e pikturuan, e skalitën e i kënduan trimërisë së pashoqe të prijësit shqiptar e shokëve të tij, që u bënë simbol lirie! Por përballë epërsisë së armikut në numër e në armatime, shqiptarët, me gjithë heroizmin që treguan, u detyruan të tërhiqeshin nga Slivova në Shtimje, ku qëndronin forcat kryesore të Lidhjes së Prizrenit.

Beteja e dytë ndodhi të nesërmen, më 21 prill 1881, në Shtimje. Këtu luftimet qenë më të përgjakshme se në Slivovë. Në luftimet e ashpra, të cilat vazhduan më tepër se 2 orë, morën pjesë edhe vetë anëtarët e shtabit shqiptar, si Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Binak Alia, Rustem Sadria e të tjerë. Edhe këtu vullnetarët shqiptarë luftuan me heroizëm të rrallë, por nën breshërinë e dendur të artilerisë së armikut dhe kur municioni i armëve të tyre filloi të shteronte, u detyruan të tërhiqeshin në drejtim të Suharekës.
Në betejat e Slivovës e të Shtimjes të dyja palët patën shumë të vrarë e të plagosur: turqit rreth 800 veta, ndërsa shqiptarët 1200 veta.
Pas Shtimjes forcat e Lidhjes Shqiptare u bënë më 22 prill 1881 tri prita të tjera ushtrive osmane, në Grykën e Carralevës, në fshatin Dule dhe në hyrje të Suharekës, por marshimin e tyre nuk e ndalën dot. Të nesërmen, më 23 prill 1881, pasi theu qëndresën e shqiptarëve, Dervish Pasha, i shoqëruar nga 7 gjeneralë dhe me 24 batalione, hyri në Prizren ku shpalli menjëherë shtetrrethimin dhe bëri arrestime të shumta.
Qëllimi i Portës së Lartë nuk ishte vetëm që të shtypte kryengritjen e armatosur kundërosmane, por të mbyste edhe idenë e autonomisë së shqiptarëve e të Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe kërkesën për formimin e një vilajeti të vetëm shqiptar. Për këtë, pasi shtypi qëndresën në Prizren, Dervish Pasha thirri këtu më 30 prill krerët e dikurshëm të Lidhjes për sanxhakët e Prizrenit, të Prishtinës, të Pejës, të Mitrovicës, të Shkupit, të Dibrës, të Shkodrës, të Manastirit etj., si edhe përfaqësuesit e qarqeve sulltaniste. Ai u kërkoi atyre të nënshkruanin një deklaratë, ku dënohej veprimtaria e Lidhjes Shqiptare dhe sidomos kërkesa e saj për bashkimin e vilajeteve shqiptare, të cilën e quante një akt armiqësor. Këtu erdhën kryesisht krerët sulltanistë dhe vetëm disa nga drejtuesit e moderuar të Lidhjes, si Ali Pashë Gucia, Iljaz Pashë Dibra, Hasan Pashë Dervalla dhe Esat Pashë Tetova, të cilët e nënshkruan deklaratën e Dervish Pashës. Si rrjedhim, krerët e moderuar, që e dënuan me shkrim idenë e vilajetit autonom, u quajtën nga sulltani të falur, madje disa prej tyre, si Ali Pashë Gucia etj., u emëruan në poste të rëndësishme në administratën e vilajeteve të Kosovës e të Manastirit. E ndërsa krerët tradhtarë do t’i gëzonin për pak kohë postet e larta, heronjtë e betejave të fundit të Lidhjes së Prizrenit do të uleshin në një post të përjetshëm: në kujtesën e popullit të vet.

Kështu përmendet edhe Mic Sokoli (1339-1881), lindur në fshatin në vitin 1839 në lagjen Fang të fshatit Bujan në Malësinë e Madhe. Një figurë kombëtare, luftëtar komit i shquar gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit, mori pjesë në luftime në Gjakovë kundër Mehmet Ali Pashës, u dallua në betejën e  Nokshiqit kundër malazezëve, luftoi në Plavë e Guci, në Jot, Grudë, Tuz, Prizren, Gjakovë, Ferizaj, Gjilan, Shkup. Mic Sokoli ka mbetur në kujtesë sidomos për aktin heroik të pashoq që ka marrë përmasat e legjendës, kur në betejën e Slivovës kundër forcave turke të Dervish Pashës në prill të vitit 1881, ai u hodh mbi një top turk, i vuri gjoksin grykës dhe u heroikisht për Atdhe.

Mic Sokoli, i biri i Sokol Ramës, lindi në vitin 1839 në lagjen Fang të fshatit Bujan në Malësinë e Madhe. Babai i tij ishte një ndër prijësit e Malësisë i cili së bashku me xhaxhin e tij, Binak Alinë, udhëhoqi dhe organizoi kryengritjet kundër reformave të Tanzimatit, që do të thotë se ishte kontribuues edhe në krijimin e Lidhjes së Prizrenit, edhe pse u vra disa dekada pa ndodhur kjo. 
Kjo sepse kryengritjet dhe revoltat e shumta kundër reformave të Tanzimatit, si kryengritjet e Dibrës (1833, 1836, 1838-39, 1844, 1855, 1860, 1872, 1876-77), të Prishtinës dhe Vuçitërnës (1834-1835, 1837), kryengritja e Myzeqesë (1837), e Beratit (1839), e Prizrenit (1839, 1843, 1847), ajo e Gjakovës (1845, 1862, 1864, 1867-69), kryengritja e Jugut (1833), ajo e nëntë krahinave toske (1834-35), kryengritjet e Mirditës(1862, 1876-77), e Shkodrës (1835, 1862, 1863, 1869, 1871), kryengritjet e Prizrenit e Pejës(1864, 1869), kryengritja e madhe fshatare e vitit 1847, kryengritja e Matit (1869) si dhe revoltat e Korçës (1850) dhe Tiranës (1869), krijuan elitat udhëheqëse dhe frymën liridashëse përkrah përvojës ushtarake që ishin themeli i krijimit te Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Këto kryengritje krahas luftëtarëve të shumtë veçuan edhe emra si Tafil Buzi, Hamëz Kazazi e “Sheh Shamia”, Alush Frakulla, Balil Hesho, Dervish Cara, Binak Alia e Sokol Rama, Zenel Gjoleka e Rrapo Hekali, Hodo Nivica, Hasan Capari, dhe te tjerë prijës dhe luftëtarë që do ishin frymëzimi për brezat që do vinin. 
Mic Sokoli qysh fëmijë filloi të frymëzohej me legjendat dhe këngët për kreshnikët, me bëmat e trimave të ndryshëm që do kishin ndikim të madh në krijimin e personalitetit të tij. Një ngjarje tjetër që do ndikonte në jetën e tij ishte vrasja e babait kur Mici ishte vetëm 7 a 8 vjeç. Edukimi sipas dokeve të Malësisë ku urtësia dhe trimëria rrinin të pandara, Micit i dhanë natyrë të rreptë, dhe fakti se ishte i vetmi burrë në shtëpi e bëri të burrërohej para kohe. Po ashtu puna që bënte çdo ditë për të siguruar mbijetesën, zhytjet në lumin e Valbonës për të zënë peshq, ngjitjet në malin e Hekurave dhe në stanet e larta, bënë që Mici të fitonte një trup plot me muskuj. Ndeshjet e para me armikun Mici i pati qysh në moshë të re, pritat që u bënte Turqve, lufta përkrah malësorëve tjerë kundër agresorëve malazez qysh në moshën 16 vjeçare, Micit i dhanë mësimet e para mbi luftën, e veshën atë me trimëri edhe më të madhe. Ai burrërohej çdo ditë, dhe i shtohej përherë e më shumë dëshira për të luftuar, përderisa i shihte çetat e Sef Koshares tek bredhin nëpër malësi dhe nuk i linin turqit te endeshin lirshëm. Në moshën 19 vjeçare tashmë i përgatitur me trimëri dhe i ushqyer me artin ushtarak popullor ai u fut në çetat e komitëve të cilat kryenin sulme ndaj postave ushtarake turke, ekspeditave të ndryshme etj. 
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, përkrah shumë trimave që mblodhi rreth vetes, Mic Sokolin e gjeti në krye të 3.000 malësorëve, të cilët Micin dhe Ali Ibrën i kishin zgjedhur për udhëheqës. Mic Sokoli pati një rol shumë të rëndësishëm në këtë organizim mbarëkombëtar. Ai kishte Gradën e Kapedanit ( që është e barabartë me gradën e sotme të gjeneralit) dhe ishte në krye të 3 mijë kalorësve nga malësia e madhe, që më vonë u transformua në Gardën e Lidhjes Shqiptare. 
Mic Sokoli ishte pjesëmarrës në ngjarjet e 2 shtatorit të vitit 1878, ku u vra Mehmet Ali Pasha, i cili kishte ardhur për të zbatuar vendimet e konferencës së Berlinit. Ndër udhëheqësit e revoltës së Gjakovës ku mbeten te vrarë qindra luftëtar nga të dy palët ishin Sylejman Vokshi, Ahmet Koronica, Mic Sokoli, Ali Ibra, Islam Batusha dhe krerë të tjerë popullorë. Këta treguan nivel të lartë të pjekurisë së tyre politike dhe tërë humanitetin e luftës së tyre të drejtë, duke flakur ndjenjën e hakmarrjes që mund ta zgjonte në të tilla raste, vrasja e një numri kaq të madh shokësh a farefisi (Skënder Rizaj - Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1877-1885, fq. 152). 
Mori pjesë në luftën e Nokshiqit më 4 dhjetor të vitit 1879, ku forcat shqiptare dërrmuan forcat malazeze të cilat po përpiqeshin të okuponin Plavën dhe Gucinë. U dallua në luftimet që u zhvilluan tek ura e Lumit Lim, ku forcat e Mark Milanit të zëna në kurth u shpartalluan pothuajse krejtësisht. Po ashtu ishte pjesë e shtabit që formoi Ali Pashë Gucia, shtabi i cili bëri planin operativ të operacionit të gjerë të forcave të Lidhjes për mësymje ndaj Forcave Malazeze, i cili filloi më 7 janar dhe përfundoi me shpartallim të plotë të forcave malazeze më 8 janar 1880. 
Po ashtu ishte pjesëmarrës edhe në luftën për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës nga ofensivat malazeze të cilat përfunduan turpshëm. Pati një rol të rëndësishëm në aksionet ushtarake të lidhjes për çlirimin e Shkupit (4 janar 1881), Prishtinës (18 janar 1881), Mitrovicës (25 janar 1881) dhe më vonë Vuçitërnit dhe Gjilanit (Historia e Popullit Shqiptar II, fq. 175). Kur ekspedita e Dervish Pashës kishte mbërritur në Ferizaj, dhe po përgatitej të marshonte drejt Prizrenit, Qeveria e Përkohshme e Lidhjes formoi shtabin e mbrojtjes me rreth 25 anëtar nën udhëheqjen e Sulejman Vokshit. Pjesëtarët e shtabit që njohim janë Ali Ibra, Mic Sokoli, Binak Alia, Sef Kosharja, Halim Efendiu, Zeqiria aga, Mullah Hyseni, Mustafa aga, Halil efendiu, Xhelil efendiu etj.( Kristo Frashëri- Lidhja Shqiptare e Prizrenit). Mbi datën e rënies së Mic Sokolit ekzistojnë 2 mendime, njëri që thotë se Dervish Pasha e lansoi ekspeditën drejt Slivovës më 22 prill, dhe tjetri që thotë se kjo ekspeditë filloi më 20 prill, ndërsa Mici ra po ditën e fillimit të sulmit. 
Rrjedha e ngjarjeve filloi me marshimin e njësive të komanduara nga Haxhi Osman Pasha drejt Slivoves. Me t’iu afruar Slivovës forcat turke u sulmuan në befasi nga luftëtarët e Lidhjes dhe u detyruan të tërhiqen. Pasi bëjnë përpjekjen e dytë dhe u zunë ngushtë sërish, forcat turke filluan të rrihnin me artileri pozicionet shqiptare. Artileria u bënte dëme të konsiderueshme, dhe në këto momente Mic Sokoli me disa shokë të tij lanë pozicionet mbrojtëse dhe u turrën në drejtim të kodrës ku ishte vendosur artileria osmane, me qëllim shkatërrimin e saj që shkaktonte dëme në radhët e forcave të qeverisë së përkohshme. Të gjithë këta luftëtarë trima u vranë së bashku me komandantin e tyre Mic Sokolin, i cili ra heroikisht duke i vënë gjoksin topit armik (Kristo Frashëri – Lidhja Shqiptare e Prizrenit, fq. 407). Ndërsa sipas kallëzimeve që bëjnë malësoret edhe sot e kësaj dite, thuhet se ishte një i ri nga Bujani që mbijetoi dhe tregoi më vonë për trimëritë e Micit dhe të shokëve. 
Mici ra heroikisht në moshën 42 vjeçare, duke lënë pas gruan dhe 2 fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Më shumë se një shekull më pas, po një nip i tij e vazhdoi aty ku e la Mici, aty ku e ndërpreu Lidhja Shqiptare. Ai kishte trashëguar nga gjenet e Micit trimërinë dhe shkathtësinë ushtarake. Ky nip i Mic Sokolit, ra dëshmorë duke luftuar për Bashkim Kombëtar, dhe quhet Tahir Sinani. 
Shumë ngjarje dhe luftëtarë të Epokës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u përjetësuan përmes epikës historike, mirëpo vendin e parë e zë Mic Sokoli, prijësi i Krasniqes, biri i Sokol Ramës nga Malësia e Madhe. Heroizmi i pashoq i Micit u kthye në legjendë, dhe këngët për të jehuan nëpër vite duke mbërritur deri tek ne. 
Ndër këngët që këndohen edhe sot me lahutë e çifteli për veprën e këtij kolosi janë: 
Mic Sokoli Vesh jelekin, 
Hip në tel, kuvend me mretin: 
-Do ta djeg, ty mret asqerin, 
Se na prishi Pasha venin: 
Na ka pre Zmajl Mehmetin, 
Hup’e tretë Zmajl Hysenin; 
Zmajl Hysenin hup’e tretë, 
Fort po e lyp babloku i vet, 
Po i shplon vorret e nuk e gjet. 
-Qinro, plak, e ban gajret, 
S’do ta lamë asqerin mret! 
Hysen Zmajli i hipi kalit, 
I çon fjalë Bajraktarit: 
-Mblidhi burrat e shkepi malit! 
Man Avdia po pyet fisin: 
- A m’i patë Zmajlin e Micin? 
-Fyt’ëm fyt tha, me Dervishin. 

Këngë tjetër shumë e njohur është: 
Mic Sokoli n’dy tagana
- Udhamarë!- m’i ka thane nana,- 
Lufto, bir, ti për Shipni, 
Mos i len turqit me hi; 
N’koftë nevoja, vi me ty. 
Mic Sokoli ni fjalë po e flet, 
Po i thotë nanës: - Të mire mbeç! 
Pa u farue Malsia krejt, 
Ktu nuk hi’krajl as mret! 








All the contents on this site are copyrighted ©.