2015-04-20 14:22:00

Françesku, hebrenjve evropianë: Toaff, njeri i paqes dhe i dialogut


“Njeri i paqes dhe i dialogut”. Me këto fjalë e kujtoi edhe Papa Françesku ish-kryerabinin Elio Toaff, gjatë audiencës me anëtarët e Konferencës së rabinëve evropianë. Takim i parashikuar me kohë, që nuk mund të mos fillonte pa kujtuar njërin nga arkitrarët, mbi të cilët është ndërtuar dialogu i të krishterëve me hebrenjtë. Ja fjalët e Papës:

         “Shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera për ish-kryerabinin e Romës, Elio Toaff, i cili ndërroi jetë mbrëmë. Me lutje, jam pranë kryerabinit aktual Riccardo Di Segni – i cili do të kishte qenë këtu me ne – dhe pranë gjithë bashkësisë hebraike të Romës, duke e kujtuar me mirënjohje këtë njeri të paqes e të dialogut, që priti Papën Gjon Pali II, në vizitën historike në Tempullin e Madh”.

         Hebrenj e të krishterë, “shpirti” i Evropës së shekullarizuar

         Para rabinëve evropianë, Papa Françesku vuri në dukje hapat e bëra në dialogun katoliko-hebraik, pas Koncilit II të Vatikanit, duke filluar me Deklaratën “Nostra Aetate”. Kjo miqësi në rritje, nënvizoi Ati i Shenjtë, ka rëndësi për Evropën e shekullarizuar, ku jetohet sikur Zoti të mos ekzistonte:

         “Njeriu tundohet shpesh ta zëvendësojë Zotin, ta konsiderojë vetveten kriter për gjithçka, të mendojë se mund të kontrollojë çdo gjë, të ndjehet i autorizuar për ta përdorur gjithçka përreth sipas mendjes së vet… Hebrenjtë dhe të krishterët kanë dhuratën e përgjegjësinë për të kontribuar që të mbahet gjallë ndjenja fetare e njeriut dhe e shoqërisë së sotme, duke dëshmuar shenjtërinë e Zotit e të jetës njerëzore: Zoti është shenjt e, shenjte dhe e padhunueshme është jeta, që na dhuron Ai”.

Mjaft me dhunën antisemite e antikristiane

         Papa Françesku shprehu shqetësimin e vet edhe për prirjet antisemite e për aktet e dhunës e të urrejtjes kundër të krishterëve e besimtarëve të feve të tjera. Çdo i krishterë, nënvizoi, nuk mund të mos i dënojë, duke treguar solidaritet me viktimat:

         “U përkujtua kohët e fundit, 70-vjetori i çlirimit të kampit të përqëndrimit të Aushvicit, ku u luajt tragjedia e madhe e Shoah-ut. Kujtimi i asaj që ndodhi në zemër të Evropës, të shërbejë si paralajmërim për brezat e sotëm e të ardhshëm. Gjithashtu, duhen dënuar kudo shfaqjet e urrejtjes e të dhunës kundër të krishterëve e kundër besimtarëve të feve të tjera”.








All the contents on this site are copyrighted ©.