2015-04-20 16:30:00

29 të krishterëve etiopë u pritet koka nga Is. Janë martirë!


Ishin emigrantë, që përpiqeshin të arrinin në Evropë, 29 të krishterët etiopë, mbytur mizorisht nga milicët e Shtetit të vetëshpallur Islamik në Libi. Pamjet dramatike të ekzekutimit të tyre, u përhapen përmes  videos së re rrënqethëse të propagandës xhihadiste. Janë martirë, pohon prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri, që e dëshmuan fenë e tyre deri në vdekje, pa frikë.

 

 

Video e re tronditëse

Milicë të maskuar, një radhë të burgosurish e pastaj, kokë të rrokullisura përdhe! Kjo, pamja e paraqitur në videon e re, përhapur nga Shteti Islamik, pas asaj të botuar në shkurt, që paraqiste vrasjen e 21 egjiptianëve koptë. Në filmimin e ri, përveç një sërë kishash të rrënuara, shihet edhe një milic i maskuar, duke lexuar një deklaratë, përmes së cilës pohon se gjithë të krishterët duhet të kthehen në fenë islame, ose të paguajnë një taksë. Të duket sikur njerëzimi po kthehet në epokat e barbarisë, që mendohej se kishin perënduar, për të mos u përsëritur kurrë më.

 

Kardinali Sandri: 29 martirë

“29 të krishterët e mbytur, nënvizon në mikrofonin tonë prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri, janë martirë, që e dëshmuan me gjak fenë e tyre”:

“Natyrisht dëshiroj të shpreh nderimim tim të thellë për këta martirë, që na kujtojnë gjithë varfërinë tonë, mjerimin tonë përballë vëllezërve të krishterë, të aftë për ta dëshmuar Jezu Krishtin deri në vdekje, pa ngurrim, pa lëkundje, pa frikë, pa marrë parasysh mizorinë e këtyre njerëzve me zemër të prishur: zemër që s’do t’i nënshtrohet Zotit. I nderoj thellësisht këta martirë, duke paraqitur ngushëllimet e mia më të ndjera dhe admirimin tim për bijtë e Etiopisë, që e dëshmuan kështu bashkimin me Krishtin, deri në dhurimin e gjakut për Të”.

Thirrje për të ndaluar persekutimet antikristiane

Zëri i kardinalit u ngrit fort edhe në thirrjen drejtuar bashkësisë ndërkombëtare:

“Nga ana jonë, ne i ndjekim me lutjen tonë, me pafuqinë tonë, me gjithçka mund të bëjmë; hapa të vegjël, ndihma të vogla për vëllezërit tanë të krishterë në Siri, Irak, Libi, Egjipt. Ata, që kanë në dorë pushtetin mbi fatet e kombeve, ta ndalojnë sa më shpejt këtë sulm të mizorisë e të persekutimit kundër të krishterëve e - do të thosha - edhe këtë persekutim të njeriut, të dinjitetit të tij e të asaj, që do të jetë ardhmëria e njerëzimit”

Don Zerai: dramë në dramë

“Tmerrit të këtyre ekzekutimeve në Libi, u shtohet edhe vuajtja e shumë të krishterëve të diskriminuar e të torturuar në një mori vendesh të Afrikës veriore e të Lindjes së Mesme, vetëm e vetëm për shkak të fesë së tyre”. Kështu shprehet, në mikrofonin tonë, don Mussie Zerai, prift eritreas, drejtor i Agjencisë Habesha, ojq e angazhuar në strehimin e emigrantëve afrikanë:

“Kjo është dramë brenda dramës e përsëritur për të satën herë. Na shqetëson, sepse tani mijëra njerëz, që janë në Libi, mund të rrezikohen t’i mbarojnë ditët me koka të prera, ashtu si u ndodhi 29 të fundmve. E kjo ngjall një ankth të papërfytyrueshëm në zemrat e të krishterëve. Posaçërisht në zonën e Misuratës, ku kohët e fundit grupet e milicëve u takuan me ata të Is. Prej këndej, ka shumë mundësi që këta njerëz të jenë shitur. Janë refugjatë, që arrijnë në Libi, të shitur në tregjet e refugjatëve, si çdo mall tjetër. Shiten e blihen e shiten rishtas, prandaj nuk më çudit asapak nëse iu shitën milicve të Is nga grupet e trafikantëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.