2015-04-19 15:49:00

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit kishtar


Sot e diel më 19 prill ,Kisha katolike kremtoi të Dielën 3-të të Pashkëve.
E po sot më 19 prill, kalendari kishtar përkujton edhe Shën Leonin IX, papë.

Liturgjia e ditës na kujton edhe një herë se Jezusi vjen nga Lart. Ai është Biri që Ati e do, Ai që ka marrë Shpirtin Shenjt me begati e krejtësisht është lënë në duart e Tij. Të mos e pranosh Krishtin, të mos besosh në Birin Hyjnor, do të thotë të mos e takosh Hyjin në jetë. Po sot më 19 prill, përkujtohet edhe përvjetori i zgjedhjes së Shenjtërisë së Tij, Papës së nderit, Benediktit XVI në fronin e Shën Pjetrit.

Të hënën 20 prill, kalendari përkujton Shën Aniçetin, papë e Shën Anjezen nga Montepulçiano, virgjër dominikane.

Këta na kujtojnë se Jezusi përkujdeset, me një mrekulli, t’i japë të hajë turmës që e ndiqte. Por ai ka ardhur për një jetë shumë më të lartë e i bën të gjithë ta kuptojnë këtë, duke u larguar nga skena e mrekullisë.

Të martën më 21 prill, kalendari përkujton Shën Anselmin, kryeipeshkëv i Kënterbërit e doktor i Kishës e Shën Apollonin, filozof e martir romak. Liturgjia e festës së tyre na nxit të meditojmë se largimi i Jezusit në vende të vetmuara nuk do të thotë se ai i braktis nxënësit e vet. Vetëm kur Krishti është në barkë bashkë me ta, frika zhduket e barka i afrohet bregut aq të dëshiruar.

Të mërkurën më 22 prill, kalendari përkujton Shën Sotirin papë, Shën Kajon papë, shën Agapiton, papë e Shën Leonidën.

Liturgjia e ditës na kujton dhurata e fesë në Krishtin, na sjell fryt dhuratën e Shpirtit Shenjt që na bënë të njohim Atin Qiellor, i cili na bënë dëshmitarë të tij e na bindë të kthehemi në udhën e jetës.

Të enjten më 23 prill, kalendari përkujton Shën Gjergjin martir; Shën Adalbertin, ipeshkëv të Pragës e martir dhe Shën Marinë Gabriela Sagedus, virgjër çistecense.

Liturgjia e ditës na kujton se turma e kërkon Jezusin, kryesisht sepse shpreson të hajë e të ngihet mrekullisht. Në sa Jezusi duhet kërkuar sepse Zoti na e dërgoi si shujtë shpirtërore për jetën e pasosur. 

Të premten më 24 prill, kalendari përkujton Shën Fedelin e Sigmaringen, meshtar kapuçin e martir dhe Shën Marinë Heselblad, themeluese e murgeshave brigjidine.

Liturgjia e festës së tyre na nxit të meditojmë se për të mos pasur më uri as etje, duhet besuar në Jezu Krishtin, që është buka e jetës. Buka që u jep Moisiu hebrenjve, ndonëse zbret nga qielli, mbetet bukë që ushqen jetën tokësore e jo jetën hyjnore, jetën e amshuar. 

Të shtunën më 25 prill, kalendari përkujton Shën Markun ungjilltar. Ky shenjë ungjilltar me jetën dhe me veprën e tij na nxit t’ia kumtojmë vëllezërve lajmin e madh të shëlbimit, të ecim në gjurmët e apostujve, për të përhapur në të katër anët e botës Ungjillin, forcë që e shndërron gjithësinë e që provon praninë e Zotit ndërmjet njerëzve.

Të dielën e ardhshme më 26 prill, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 4-të të Pashkëve e po më 26 prill, do të kremtohet festa e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore qiellore e shqiptarëve.

Festa i bashkon shpirtërisht gjithë shqiptarët rreth figurës së Zojës në shenjtëroren kombëtare rrëzë Kështjellës Rozafa, rrënimi dhe rindërtimi i së cilës do të mbetet në shekuj si simbol i ikjes e i rikthimit të përsëritur të Nënës së Zotit në trojet e në zemrat e shqiptarëve. Figurja e mrekullueshme e Zojës së Këshillit të Mirë, origjinali i së cilës ndodhet në Gjenacan afër Romës, pasqyron gjithë historinë e katolicizmit në Shqipëri.








All the contents on this site are copyrighted ©.