2015-04-19 17:15:00

Ekspozohet Sindona, në pritje të vizitës së Papës


  

Pesë vjet pas dukjes së fundit, Sindona ekspozohet përsëri për vizitorët e Katedrales së Torinos që sot, 19 prill, e deri më 24 qershor, me rastin e dyqindvjetorit të lindjes së Shën Gjon Boskos. “Dashuria më e madhe” është motoja e ekspozimit 2015, gjatë të cilit Papa Françesku do ta vizitojë kryeqendrën piemonteze  më 21 e 22 qershorin e ardhshëm. Ekspozimi nisi sot paradite në Katedrale, me kremtimin eukaristik të orës 11.00, kryesuar nga Rojtari Papnor i Sindonës, imzot Cesare Nosiglia, kryeipeshkëv i Torinos. Vizitat filluan pasdite. Hyrja është e lirë për të gjithë, por me regjistrim të detyrueshëm paraprak të emrit. Deri tani janë regjistruar më se një milion vetë.

Shën Gjon Pali II e pati quajtur Sindonën “Pasqyrë e Ungjillit”, por edhe “provokim për inteligjencën”. Jo rastësisht ky Ekspozim i ri për publikun, i treti nga viti 2000, i qefinit që, sipas traditës, pati mbështjellë Korpin e Krishtit kur zbriti në varr, ripropozon për diskutim vërtetësinë e relikes. Është mjet për ungjillëzimin,  por duke e lënë gjithnjë të hapur diskutimin shkencor mbi këtë pëlhurë, që përkon kaq dukshëm me Ungjijtë. Sidoqoftë, të ndihmon të hysh në misterin e madh të Mundimeve e të vdekjes së Zotit e të kujtosh me ç’dashuri të pafundme të deshi, ai që  u kryqëzua e që, ndoshta, e vulosi me fytyrën e vet këtë dashuri, mbi një qefin, i cili gjithsesi, nuk shënonte fundin e jetës: përkundrazi, fillimin! Për të gjithë! 








All the contents on this site are copyrighted ©.