2015-04-18 14:47:00

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e kardinalit George: bari i urtë e i dashur


Papa Françesku shpreh ngushëllimet e tij të thella për vdekjen e kardinalit Francis Eugene George, kryeipeshkëv nderi i Çikagos. I sëmurë nga tumori, ishte 78 vjeç.

Në një telegram, drejtuar kryeipeshkvit të sotëm të Çikagos, imzot Blase Cupich, Papa kujton me mirënjohje dëshminë e jetës rregulltare të kardinalit George si Oblat i Zojës së Papërlyer, përgatitjen e thellë shkencore në disa disiplina, shërbimin në apostullimin edukativ të Kishës, vitet e shërbesës ipeshkvnore në Kishat e Yakimës, Portlandit e Çikagos si dhe në krye të Konferencës së Ipeshkvijve Katolikëve të SHBA-së (2004-2007). Ia beson, pastaj, shpirtin e këtij bariu të urtë e të dashur, mëshirës së Zotit.

Kardinali Francis Eugene George ishte i pari vendas, që kryente shërbesën e kryeipeshkvit të Çikagos e, njëkohësisht, edhe shumë detyra të tjera të rëndësishme në shërbim të Kishës universale.

U krijua kardinal nga Gjon Pali II, në koncistorin e 21 shkurtit 1998, me titullin e Shën Bartolomeut në Ishull.








All the contents on this site are copyrighted ©.