2015-04-18 13:05:00

Françesku-Matarella: të dëgjohet britma e të papunit e të shfrytëzohet trashëgimia e krishterë


Në fjalën drejtuar Presidentit italian, pas bisedës private, Papa i nxiti institucionet e vendit ta dëgjojnë “britmën e dhimbjes” të të rinjve të shumtë, të cilët dëshirojnë të punojnë, por nuk gjejnë punë. Më pas uroi që Expo e Milanos të jetë rast për të marrë vendime të përshtatshme në favor të ambientit.

Takimi i parë i Papës Françesku me Presidentin Matarella, nisi me një shtrëngim të përzemërt duarsh e një buzëqeshje të sinqertë, shenjë e përkimit ndërmjet dy burrave, që u ndje, më pas, edhe në fjalimet e tyre. Përtërihet, kështu, fryma e harmonisë ndërmjet Italisë e Selisë së Shenjtë që, vërejti Papa, ka ardhur gjithnjë duke u fuqizuar pas periudhës konciliare, ndërsa “duke i dalluar rolet”, bëhet gjithnjë më ndjeshme ndërmjet qytetarëve, nevoja për përtëritjen e bashkëpunimit, në shërbim të së mirës së përbashkët. Nga ana tjetër, vërejti Ati i Shenjtë, Kisha, që ta kryejë misionin e saj shpirtëror, ka nevojë  për kushte paqeje e qetësie, të cilat mund t’i krijojnë vetëm pushtetet publike. E më pas Françesku shtoi se zhvillimi i një shoqërie pluraliste nuk mund të pretendojë ta kufizojë zhvillimin e vërtetë fetar vetëm në intimitetin e ndërgjegjes, por duhet ta njohë rolin e fesë në ndërtimin e shoqërisë.

Feja, kështjellë solidariteti e shkollë vlerash

Një presidenti, me formim të krishterë, Françesku i kujtoi edhe sa i madh është kontributi i krishterimit në kulturën, në historinë dhe në formimin e karakterit të popullit të Italisë.

Feja u shndërrua në vepra e këto, në institucione, aq sa t’i jepnin historisë një fytyrë krejt të veçantë e t’i modelonin të gjitha aspektet e jetës, duke nisur nga familja, kështjellë e parë e solidaritetit e shkollë vlerash, që duhet ndihmuar ta kryejë funksionin e saj të pazëvendësueshën shoqëror, si mjedis kryesor i zhvillimit të gjithanshëm të njeriut.

Të dëgjohet britma e dhimbjes së të rinjve pa punë

Ndërmjet pasurive të ndryshme, të nevojshme për zhvillimin e çdo kolektiviteti, vijoi Françesku, puna dallohet për vetë lidhjen e saj me dinjitetin e njeriut, me mundësinë për të jetuar një jetë dinjitoze e të lirë:

“Në mënyrë të veçantë, mungesa e punës për të rinjtë, shndërrohet në  britmë dhimbjeje, që u kujton pushteteve publike, organizatave ndërmjetësuese, afaristëve privatë dhe bashkësisë kishtare, se duhet bërë çdo përpjekje e mundshme për të gjetur rrugëzgjidhje, duke e konsideruar si problem të dorës së parë, sepse, ku nuk ka punë, nuk mund të ketë  dinjitet e as ardhmëri. Rinia pa punë mund t’i nënshtrohet shumë më lehtë tundimeve gënjeshtare e të rrezikshme”.

Prej këndej, Papa kërkoi që shteti t’i kundërvihet situatës së krijuar nga papunësia e të përpiqet ta zgjidhë sa më shpejt këtë problem. Foli edhe për Expo-në e Milanos, si rast për të mbrojtur mjedisin e, së fundi, edhe për emigracionin.

Evropa duhet ta ndihmojë Italinë për strehimin e emigrantëve

Në përfundim të fjalimit, Françesku nuk harroi të shprehë mirënjohjen  për angazhimin e Italisë në strehimin e emigrantëve të shumënumërt që, me rrezik jete, lypin mikpritje:

“Është e qartë se përpjestimet e fenomenit kërkojnë një bashkëpunim shumë më të gjerë. Nuk duhet të lodhemi duke nxitur një angazhim më të madh në nivel evropian e ndërkombëtar”.

Papa Françesku e përfundoi fjalimin duke uruar që Italia të përfitojë nga tradita e saj fisnike e nga kultura e saj, e frymëzuar gjerësisht nga feja e krishterë, për të përparuar e për të lulëzuar në harmoni, duke dhënë kontributin e vet të çmuar për paqe e drejtësi në botë.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.