2015-04-17 16:14:00

Françesku: përvujtëria e krishterë nuk është mazokizëm


Përulja e pësuar për të kënaqur vetveten, është mazokizëm, ndërsa ajo që pësohet në emër të Ungjillit e bën njeriun të ngjashëm me Jezusin. E pohoi Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke i ftuar të krishterët të mos ushqejnë ndjenja urrejtjeje, të mos nguten, por të presin, për t’i zbuluar brenda vetes ndjenjat e sjelljet, që i pëlqejnë Zotit: dashurinë e dialogun.

A është e mundur që njeriu, në një situatë të vështirë, të reagojë sipas mënyrës së Zotit? Është, pohoi Papa, e kjo duhet parë si çështje kohe. Kohë për t’u pushtuar nga ndjenjat e Jezusit. Françesku e shpjegoi, duke analizuar episodin e Leximit të parë, shkëputur nga Veprat e Apostujve. Këta të fundit gjykohen para sinedrit, me akuzën se predikojnë atë Ungjill, të cilit doktorët e ligjit nuk duan t’ia dëgjojnë as emrin.

Mos i jep kohë urrejtjes

Gjithsesi një prej farizenjve të sinedrit, Gamalieli, jep një këshillë të sinqertë: shpreh mendimin se duheshin lënë të lirë, duke kujtuar raste të ngjashme. Sipas tij, nëse doktrina e apostujve do të ishte me zanafillë njerëzore, do të shuhej vetvetiu, ndërsa nuk do të kishte kurrë mbarim, po të vinte nga Zoti. Sinedri e pranon këshillën, domethënë, shpjegoi Papa, vendos t’u japë kohë apostujve. Nuk kundërvepron duke ndjekur ndjenjën instinktive të urrejtjes. E kjo, pohoi Françesku, është ilaçi që vlen për çdo njeri.

Jepi kohë kohës! Kjo na duhet ne, kur kemi mendime të këqija për të tjerët, kur na torturojnë ndjenja të këqija, kur kemi antipati, mëri, mllef: nuk duhet t’i lëmë të thellohen këto mendime, këto ndjenja. Duhet të ndalemi,  t’i japim kohë kohës. Koha i vë gjërat në vend të vet, krijon harmoni e na ndihmon t’i shikojmë drejt tërbimet e çastit. Po nëse ti reagon në çastin e tërbimit, sigurisht që do të veprosh padrejtësisht. Do të jesh i padrejtë. E do t’i bësh keq, në radhë të parë, vetvetes. Kjo është këshilla: koha, jepi kohë vetes në çastin e tundimit. Prit të kalojë tërbimi, që të është ndezur në zemër. Koha do ta zbehë ose do ta shuajë fare.

Kush e ndal veten, i jep kohë Zotit

Kur ne e ngrohim në shpirt, si në furrik, mëllefin, është e pashmangëshme që të shpërthejë. Mllefi i ushqyer, shpërthen në fyerje, në luftë, vërejti Ati i Shenjtë, e me këto ndjenja të këqija kundër të tjerëve, luftojmë kundër vetë Zotit, ndërsa Zoti i do të tjerët, do harmoninë, do dashurinë, do dialogun, do udhën ku ecet bashkërisht. Edhe mua më ndodh kjo, pranoi Papa. Kur ndonjë gjë nuk më pëlqen, mendimi i parë sigurisht nuk është Zoti. Mendimi i parë është i keq, gjithnjë. Të ndalohemi, ngriti zërin Françesku, e  t’i japim kohë e hapësirë Shpirtit  Shenjt, që të na ndihmojnë të arrijmë tek mendimi i drejtë, tek paqja. Ashtu si apostujt, që u fshikulluan me kamxhik e u larguan nga sinedri gjithë gëzim, pse ishin keqtrajtuar e rrahur në emër të Jezusit. Fodullëku i të parëve të çon tek dëshira për t’ua marrë shpirtin të tjerëve, ndërsa përvujtëria, edhe përulja, të çon në përngjasimin me Jezusin. E këtë ne shpesh nuk duam ta mendojmë. Në këto çaste, kur shumë vëllezër e motra tona martirizohen në emër të Krishtit, ata janë në të njëjtën gjendje, kanë në këto çaste të njëjtin gëzim, që buron nga vetëdija se po pësojnë deri vdekjen, për emrin e Jezusit. Për të shpëtuar nga fodullëku i të parëve, rruga e vetme është t’ia hapësh zemrën përvujtërisë, e tek përvujtëria nuk arrihet kurrë pa përulje. Kjo është një gjë, që nuk kuptohet lehtë. Është hir, që duhet ta kërkojmë.

Martirët e të përvuajturit i ngjasin Krishtit

Ta kërkojmë hirin, përfundoi Françesku. Hirin e përngjasimit me Krishtin. Përngjasim, që po e dëshmojnë jo vetëm martirët e sotëm, por edhe gjithë ata burra e gra, që pësojnë poshtërime ditë për ditë e, për të mirën e familjeve të tyre, mbyllin gojën, nuk flasin, mbartin e durojnë për dashuri të Krishtit:

“Kjo është shenjtëria e Kishës, ky gëzim që të jep përulja, jo pse poshtërimi është i bukur, jo, përndryshe do të ishte mazokizëm, jo! Por pse me këtë përulje, ti i përngjan Jezusit. Dy sjellje: ajo e mbylljes, që të çon në urrejtje, në mëri, në dëshirën për t’i mbytur të tjerët, e ajo që të shtyn t’ia hapësh zemrën Zotit në rrugën e Jezusit, që të bën t’i pranosh poshtërimet, edhe ato më të fortat, me gëzim shpirtëror, i sigurt se ecën në rrugën e Jezusit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.