2015-04-16 14:58:00

Papa ipeshkvijve të Kenias: të denoncohet çdo formë e dhunës


“Të denoncohet çdo formë e dhunës, posaçërisht ajo që kryhet në emër të Zotit e të jeni shembull pajtimi, drejtësie e paqeje për mbarë vendin”. Këto, porositë kryesore të Papës, në fjalimin dorëzuar sot ipeshkvijve të vendit afrikan, në Vatikan për vizitën “ad Limina”.

Angazhim ndërfetar për paqen

Të punohet me liderët e krishterë e jo të krishterë, për të siguruar paqen e drejtësinë në Kenia, përmes dialogut, vëllazërisë, miqësisë, në mënyrë që të arrihet në denoncimin e njëzëshëm e të guximshëm të çdo forme të dhunës, posaçërisht asaj, që kryhet në emër të Zotit. Ky, mandati i Papës Françesku për ipeshkvijtë e vendit afrikan, që Kisha vendase të jetë gjithnjë besnike ndaj misionit të saj e të bëhet mjet pajtimi, drejtësie e paqeje.

Lutja për viktimat e Garissës

Papa foli sot për një vend, që u trondit vetëm pak kohë më parë nga  dhuna, me sulmet e ekstremistëve islamikë të al Shabaab e u lut për të gjithë ata, që u vranë nga aktet e terrorit ose nga armiqësitë etnike e fisnore në Kenia e në zona të tjera të Kontinentit afrikan.

Kujtoi, më pas, shërbimin ndaj së mirës së përbashkët, të varfërit e luftën kundër korrupsionit. I porositi ipeshkvijtë të jenë prijës e shembull për seminaristët e Kishën vendase e, së fundi, u ndalua posaçërisht tek kujdesi për familjen e për të rinjtë, duke pasur parasysh afrimin e Sinodit të Zakonshëm kushtuar pikërisht familjes. Papa u lut posaçërisht për të rinjtë, që të jenë të aftë të marrin angazhime afatgjata në martesë, në meshtari e në jetën rregulltare.

Në përfundim, Ati i Shenjtë kujtoi Jubileun e Mëshirës, me besimin se do të jetë kohë e faljes së madhe, e shërimit të shpejtë, e shndërrimit të dëshiruar, e hirit hyjnor për mbarë Kishën në Kenia e për gjithë besimtarët, në mënyrë që të jenë ato shenja pajtimi, drejtësie e paqeje, që Hyji i do për vendin e për mbarë Afrikën.








All the contents on this site are copyrighted ©.