2015-04-16 16:22:00

Europarlamenti miraton rezolutën mbi gjenocidin e armenëve


Parlamenti evropian ka miratuar rezolutën mbi gjenocidin e armenëve, me rastin e përkujtimit të 100 vjetorit të tragjedisë. Dokumenti është miratuar me shumicë të madhe. Përmes kësaj rezolute jo të detyruese, Europarlamenti i kërkon Turqisë të “vazhdojë me përpjekje të veta për ta njohur gjenocidin armen” siç lexohet në tekstin që përkujton qindvjetorin e fillimit të genocidit të Armenisë. Deputetët evropianë i kërkojnë Turqisë edhe “hapjen e arkivave për shqyrtimin e së kaluarës”. Teksti i Parlamentit përdor qartë e hapur termin “gjenocid” në referim të shfarosjes së armenëve dhe kërkon themelimin e një dite botërore për përkujtimin e gjenocideve. E duhet shtruar se teksti është më pak i ashpër se rezolutat tjera që janë miratuara në të kaluarën, në të cilat përcaktohet në mënyrë të qartë se njohja gjenocidit armen nga pala turke është “para-kusht” për aderimin e Turqisë në BE. Ky referim mungon në tekstin e miratuar dje. Dokumenti i Parlamentit Evropian vlerëson si “një hap në drejtim të duhur” deklaratat e autoriteteve të larta turke, përmes të cilave u kanë shprehur ngushëllimet armenëve dhe janë njohur “tmerret” që janë bërë kundër armenëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.