2015-04-10 14:56:00

Liturgjia e Fjalës e dielës së 2-të të Pashkëve, festa e Mëshirës Hyjnore.


Ja në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe, do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së dytë të Pashkëve, e cila, sipas një tradite të vjetër, kjo e diel e sotme njihet me emrin e Diela in ‘Albis’ që do të thotë ‘me të Bardha’. Në këtë të diele të pagëzuarit e Natës së Pashkëve mbanin akoma veshjen e bardhë, simbol i dritës, që Zoti u kishte dhuruar në Sakramentin e Pagëzimit. Më pas e hiqnin veshjen e bardhë, por ndriçimin që u qe komunikuar, duhet ta pasqyronin në jetën e tyre të përditshme; dritën e së vërtetës e të së mirës që Zoti ua kishte ndezur ndër zemra, duhet ta ruanin e ushqenin me kujdes, për t’i dhënë botës tonë pakëz dritë nga drita e mirësia e Zotit.
Papa Shën Gjon Pali II deshi që kjo e diel të kremtohej si Festë e Mëshirës Hyjnore: në fjalën ‘mëshirë’, gjente të përmbledhur e të shpjeguar përsëri gjithë misterin e Shpërblimit. Ai jetoi nën dy regjime diktatoriale dhe, në kontakt me varfërinë, mungesat e dhunën, provoi thellësisht pushtetin e errësirës, që sundon edhe mbi kohët tona. Por provoi edhe, e më fuqimisht, praninë e Zotit që u kundërvihet gjithë këtyre forcave të errëta me pushtetin e tij krejtësisht të ndryshëm e hyjnor: me pushtetin e mëshirës. Është pikërisht kjo mëshirë që i vë kufi së keqes. Në të gjen shprehjen e vet natyra krejt e posaçme e Hyjit – shenjtëria e Tij, fuqia e së vërtetës dhe e dashurisë. 
Katër vjet më parë, pas Lutjeve të para të Mbrëmjes të kësaj Feste, Gjon Pali II përfundonte jetën e vet tokësore. Duke vdekur, ai hyri në dritën e Mëshirës Hyjnore nga e cila, përtej kufijve të vdekjes e duke u nisur nga Zoti, sot na flet në një mënyrë krejt të re. Kini besim – na thotë – në Mëshirën Hyjnore! Bëhuni ditë për ditë burra e gra të mëshirës së Hyjit! Mëshira është petku i dritës që na dhuroi Zoti në Pagëzim. Nuk duhet ta lemë këtë dritë të shuhet; përkundrazi, ajo duhet të rritet në ne ditë për ditë për t’i çuar kështu botës lajmin e gëzuar të Zotit.
Në leximin e parë të kësaj së diele na tregohet se, në zanafillën e Kishës në fasha, njerëzit i mbartnin të sëmurët ndër sheshe në mënyrë që, kur të kalonte Pjetri, t’i mbulonte hija e tij: mendonin se kjo hije kishte forcë shëruese. E kjo hije, në të vërtetë, vinte nga drita e Krishtit e prandaj kishte në vetvete diçka nga forca e mirësisë së Tij hyjnore. Hija e Pjetrit, përmes bashkësisë së Kishës katolike, u shtri mbi jetën e meshtarëve si hije e mirë , hije shëruese, sepse vjen nga vetë Krishti. Pjetri ishte njeri e, prej këndej, me të gjitha ligështitë njerëzore, por mbi të gjitha, ishte njeri përplot me besim të pasionuar në Jezusin e Ngjallur, ishte përplot me dashuri për Të. E pikërisht përmes fesë e dashurisë së tij, forca shëruese e Krishtit, forca unjësuese, arrinte tek njerëzit, ndonëse e përzierë me gjithë ligështinë e Pjetrit. Ta kërkojmë edhe sot hijen e Pjetrit, në se duam të jemi në dritën e Krishtit. Kështu mund të themi se lindja e rilindja; familja tokësore e familja e madhe e Hyjit – kjo është dhurata e madhe e mëshirës së pambaruar të Zotit, themeli mbi të cilin mbështetemi. 
Në fragmentin e sotëm ungjillor, dëgjuam edhe rrëfimin mbi takimin e Tomës Apostull me Zotin e ngjallur, që i lejon Apostullit t’ia prekë plagët e kështu ai e njeh – e njeh përtej identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin e tij më të thellë: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai është Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët e Tij tregojnë se Ai na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria që ka për ne. Plagët e Tij – ne mund t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Jezusit vijojnë t’i hapen plagë për ne. Çfarë siguri për mëshirën e tij e çfarë ngushëllimi na japin! E si na sqarojnë se Ai është “Zotëria im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për detyrë të plagosemi për Të në dashuri e me dashuri. 
Mëshira e Zotit na shoqëron ditë për ditë. Mjafton ta kemi zemrën zgjuar për ta perceptuar. E pranuar. Shpesh, jemi tepër të prirur të merremi vetëm me lodhjen tonë të përditshme, që na është imponuar, si bij të Adamit. Por, në se e hapim zemrën tonë ndaj Krishtit të Gjallë, ndonëse është aq e ngushtë sa të zërë vetëm vetveten, atëherë mund të vërejmë sa i mirë e i mëshirshëm është Zoti me ne, se si mendon për ne pikërisht në gjërat tona të vogla e të përditshme, për të na ndihmuar të arrijmë kështu tek vlerat e mëdha hyjnore. Gjatë jetës sonë tokësore, Zoti na jep vazhdimisht edhe ndihmën e nevojshme për të mbartur çdo ditë kryqin e për t’ia arritur cakut përfundimtar, bashkimit me Të në jetën e amshuar! 
Dua ta përfundoj këtë homeli me lutjen e Papës Leoni i Madh: “Luteni Zotin tonë të mirë, që në ditët tona të na e forcojë fenë, ta shumëfishojë dashurinë e ta shtojë paqen. Amen.
                                  Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë Vap 4, 32-35
Një zemër e një shpirt i vetëm. Të krishterët e parë jetojnë thellësisht ligjin e bamirësisë që Jezusi u ka besuar atyre. Kjo është karakteristika e krishterimit. Bota e sotme pret nga të krishterët shenja të një solidariteti të tillë, që realizohet nëpërmjet një jete që bashkëndan të mirat shpirtërore dhe materiale. 

Lexim prej Veprave të Apostujve
Në bashkësinë e besimtarëve mbretëronte një përkim i plotë. Askush nuk e quante të veten çka do që kishte, por ndër ta gjithçka ishte e përbashkët. Apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi mbi ngjalljen e Zotërisë Jezus e të gjithë gëzonin nderim të madh. Gjithashtu askush prej sish nuk ishte skamnor, sepse ata që kishin ara e shtëpi i shitnin e çmimin e shitjes e binin dhe e vinin te këmbët e apostujve. Atëherë secilit i jepej aq sa kishte nevojë. Fjala e Zotit.  

 Psalmi 117/118

Aleluja, aleluja, aleluja

Lavdërojini Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli: Zoti është i mirë, e përjetshme është dashuria e tij!

Le të thotë tani shtëpia e Aronit,
e përjetshme është dashuria e tij!
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin,
e përjetshme është dashuria e tij!

Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, por më përkrahi ndihma e Zotit.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti,
Ai është shpëtimtari im.
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi
në tendat e të drejtëve.

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, erdhi e u bë guri këndit; 
Zoti e bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë 
tanë! Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:
të galdojmë e të gëzojmë në të! 
 

Leximi i dytë 1 Gjn 5, 1-6

Krishti i vdekur dhe i ringjallur na komunikon jetën e tij nëpërmjet Pagëzimit dhe Eukaristisë. Bashkimi i tij me Atin e ka shtyrë Jezusin të dojë njerëzit, bijtë e Atit. Me këtë sjellje Ai ka fituar mbi të keqen dhe ka bërë të rilindë shpresa. Edhe ne nëse jemi të bashkuar me Jezusin mund t’i pranojmë të gjithë ata që Jezusi ka dashur. Besimi bëhet atëherë një angazhim i gëzuar dhe një dashuri e efektshme që jep kuptim. 

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull
Fort të dashur, kushdo beson se Jezusi është Mesia, është i lindur prej Hyjit. Kushdo e do prindin, do edhe të lindurin prej tij. Me këtë gjë e dimë se i duam fëmijët e Hyjit: nëse e duam Hyjin dhe i mbajmë urdhërimet e tija. Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Hyjit. Urdhërimet e tija nuk janë të rënda. Sepse, gjithçka lind prej Hyjit, ngadhënjen mbi botën. Dhe kjo është fitorja që e mundi botën: feja jonë! Kush është ai që e mund botën, në mos qoftë ai që beson se Jezus është Biri i Hyjit? Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Dëshmitari i kësaj gjëje është Shpirti Shenjt, sepse Shpirti Shenjt është e vërteta. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja! Aleluja!
Pse po më sheh, o Tomë, po beson. 
Lum ata që nuk panë e besojnë!
Aleluja. Aleluja!

 Leximi dyte Gjn 20, 19-31
Tetë ditë pas, erdhi Jezusi i ringjallur dhe u shfaqet dishepujve e atyre u dha paqen e gëzimin e Atit. Vetëm tani ata e njohin arsyen dhe vlerën e vdekjes së tij: në të vërtetë nga kraharori i plagosur dhe nga duart e tij të shporuar u dhurohet atyre paqja e Shpirtit. Ringjallja e Jezusit është fitorja mbi frikën, gëzimi, paqja, dhurata e Shpirtit dhe falja e mëkateve.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në mbrëmje po të asaj dite – të parën ditë të javës – ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.” Porsi Toma, njëri prej të dymbëdhjetave, ai që quhet Binjak, nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit tjerë: “E pamë Zotërinë!” Toma u përgjigj: “Pa e parë në duar të tija vragën e gozhdëve e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdëve; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.” Mbas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Mandej i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!” Toma i përgjigji: “Zotëria im dhe Hyji im!” Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!” Jezusi bëri ndër sy të nxënësve të vet edhe shumë mrekulli tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij. 
Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së dytë të Pashkëve mund të dëgjoni...

 








All the contents on this site are copyrighted ©.