Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa: meshtarët të kërkojnë hirin të jenë “të lodhur e të këputur”

Mesha e Bagmit - OSS_ROM

02/04/2015 13:33

Lodhja e mundimi i meshtarëve ishte në qendër të homelisë së Papës, në Meshën e Bagmit, me të cilën nisi kremtimin e Treditshit të Pashkëve. Sa herë mendoj për lodhjen e meshtarëve, kujtoi Françesku, mendoj shumë shpesh, posaçërisht kur edhe unë vetë ndjehem tejet i lodhur. Lodhje, pasojë e punës baritore, në mes të popullit besimtar, besuar nga Zoti, në vende shpesh të braktisura e të rrezikshme. Lodhje, në përpjekjen për t’ua çuar gjithë njerëzve Lajmin e Mirë. Lodhje. Por edhe pushim, kur barra e punës sonë baritore na rëndon sa kryqi mbi supe. Këto, disa nga  pohimet e Papës Françesku në homelinë, mbajtur sot në Bazilikën e Shën Pjetrit,  gjatë kremtimit të Meshës së Bagmit, rrethuar nga kleri i dioqezës së Romës.

“Lutem për ju, pa harruar se lodhja jonë, të dashur meshtarë, është si temjani erëmirë, që lartohet  fjolla-fjolla drejt qiellit; lodhje, që shkon drejt e në zemër të Atit. Të jeni të sigurt se Zoja e Bekuar e njeh lodhjen tuaj e ia tregon menjëherë gjithçka bëni, Zotit”.

Foli për punën e meshtarëve, për lodhjen, deri në kapitje, Papa, por edhe për pushimin:

“Ndodh edhe që, kur e ndjejmë tepër barrën e punës baritore, mund të   tundohemi të pushojmë si të na duket më mbarë, sikur të mos vinte edhe pushimi nga vetë Zoti. Të mos biem në këtë tundim. Lodhja jonë është e çmuar para syve të Zotit, që na pret e na ngre përsëri në këmbë: ‘Ejani tek unë ju të gjithë, që jeni të lodhur prej barrës së rëndë, e unë do t’ju çlodh!’. (cfr Mt 11.28). Në se ndonjëri jush, i vdekur nga lodhja, përkulet në adhurim e  thotë: ‘Mjaft për sot, o Zot’ e dorëzohet para Atit, e di mirë se nuk rrëzohet, po rinohet, sepse Zoti e shndërron hirin në kurorë; lotët, në vajin erëmirë të gëzimit; kapitjen, në këngë”.

Ta kemi mirë parasysh, vijoi Françesku, se çelësi i suksesit të veprimtarisë meshtarake duhet kërkuar edhe në mënyrën si pushojmë e si e ndjejmë se e trajton Zoti lodhjen tonë. E vështirë, të mësohesh të pushosh! Sepse pushimi vë në lojë besimin tonë, vetëdijen se edhe ne jemi dele .

Më pas Papa bëri një breshëri pyetjesh që, u shpjegoi meshtarëve të dioqezës së tij, mund të na ndihmojnë në këtë drejtim:

“A di të pushoj, duke pranuar dashurinë, bujarinë e dhimbsurinë që më jep populli besnik i Hyjit? Apo pas punës baritore kërkoj pushime më të rafinuara, jo pushime varfanjakësh, por nga ata që më ofron shoqëria e konsumit? A është Shpirti Shenjt prehja ime, pas lodhjes, apo është Ai, që më bën të lodhem? A mendoj se mund t’i kërkoj ndihmë ndonjë meshtari më të urtë? Di të pushoj nga vetvetja? Apo pushoj ashtu i pëlqen më shumë vetvetes sime të dashur? A di të bisedoj me Jezusin, me Atin, me Zojën e Bekuar, me Shën Jozefin e shenjtorët e mi, pajtorë e miq? A di të pushoj nga armiqtë, duke u prehur nën mbrojtjen e Zotit? A shkoj duke mërmëritur me vete e duke mbrojtur vetveten, apo ia besoj veten Shpirtit Shenjt, që më mëson ç’duhet të bëj në çdo rast? Shqetësohem e ngushtohem vazhdimisht, i kapur keq nga ankthi, apo, si Pali, gjej prehje, duke thënë: “ E di kujt i kam besuar”?

Në përfundim Papa kujtoi se Zoja e Bekuar është strehë e sigurt. Ajo, si nënë,  e merr me mend kur bijtë janë të lodhur e nuk mendon gjë tjetër, veç prehjes së tyre: “Mirëserdhe! Pusho, o bir. Flasim pastaj. A nuk e ndjen se jam këtu, se jam Nëna jote?”, do të na thotë gjithnjë, kur t’i afrohemi. E Birit të saj do t’i kujtojë, ashtu si në Kanë: “Nuk kanë verë!”. 

02/04/2015 13:33