2015-04-01 17:33:00

Papa, në audiencën e përgjithshme, shpjegoi Treditshin e Pashkëve


Sipas shembullit të mundimeve, të vdekjes e të ngjalljes së Krishtit, kujtojmë këta burra e këto gra që, me shembullin e jetës së tyre, pasqyrojnë një rreze dashurie të përkryer, të plotë, të papërlyer të Krishtit. E pohoi Papa Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar Triditshes së Pashkëve. Nesër, kujtoi, është e Enjtja e Madhe. Pasdite, me Meshën “e Darkës së Mbrame të Zotit” do të fillojë Triditshja e mundimeve, vdekjes e ngjalljes së Krishtit, kulm i vitit  liturgjik e edhe kulm i jetës sonë të krishterë.

T’i jetojmë çastet e fundit të jetës tokësore të Jezusit

Të hyjmë me gjithë zemër në kremtimin e misterve, që na i ofron liturgjia e Kishës me Triditshen e Pashkëve, duke rijetuar mundimet, vdekjen e ringjalljen e Jezusit. Kjo, ftesa e Papës, që i nxiti besimtarët t’i jetojnë ndjenjat e çasteve të fundit të jetës tokësore të Jezusit. Në këtë mënyrë, u tha besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, do të kaloni vërtet “Pashkë të gëzuara”. Triditëshi, shpjegoi, hapet me të Enjten e Madhe, me përkujtimin e Darkës së Mbrame, me Jezusin që i ofron Atit korpin e gjakun e vet, nën dukjen e bukës e të verës e, duke ua dhënë si shujtë apostujve, i urdhëron ta përsërisin flijimin, në kujtim të Tij. Ungjilli na kujton larjen e këmbëve. Krishti ua lan këmbët dishepujve, duke shprehur domethënien e jetës së Tij e të mundimeve të Tij, si shërbim ndaj Hyjit e ndaj vëllezërve.

Kjo ndodhi edhe në Pagëzimin tonë, kur hiri i Hyjit na pastroi nga mëkati e u veshëm me Krishtin. E kjo ndodh sa herë përkujtojmë flijimin e Zotit në Eukaristi: bashkohemi me Krishtin Shërbëtor, që t’i bindemi urdhërimit të Tij për t’u dashur, ashtu si na deshi Ai. Nëse e marrim Kungimin pa qenë sinqerisht të gatshëm për t’ia larë këmbët njëri-tjetrit, ne nuk e njohim Korpin e Zotit. “Është shërbim i Jezusit, që e dhuron vetveten. Krejtësisht”.

Jezusi tha: “U krye”

Në të Premten e Madhe meditojmë misterin e vdekjes së Krishtit e adhurojmë Kryqin, duke kujtuar  Jezusin që, para se t’ia dorëzonte shpirtin Atit, tha: “U krye!”. E kjo, shtoi Papa, do të thotë se vepra e shëlbimit është kryer. Jezusi, me flijimin e vet, e shndërroi padrejtësinë më të madhe, në më të madhen dashuri.

Edhe sot martirët e  vërtetë, me Jezusin, e dhurojnë jetën e tyre për fenë

Në rrjedhë kohe, vijoi Françesku, ka pasur gjithnjë burra e gra, që me dëshminë e jetës së tyre pasqyrojnë një rreze të kësaj dashurie të përkryer, të plotë, të papërlyer. Siç është për shembull, don Andrea Santoro, meshtar i dioqezës së Romës e misionar në Turqi, vrarë më 2006, në Trebizondë. Fjalët e tij: “Mund të bëhemi të aftë për shëlbim vetëm duke ofruar korpin tonë”, kutjoi Papa, sot na ndihmojnë të flijojmë jetën, si dhuratë dashurie për vëllezërit, duke i përngjarë Krishtit.

Maria e mbajti  të ndezur flakën e fesë

Në fund të jetës sonë, me mëkatet tona, por edhe me dashurinë tonë për të afërmin, reflektoi Papa, mund t’i themi Atit: “Bëra gjithçka mund të bëhej”, për të përsëritur fjalët e Jezusit: “U krye”. Të Shtunën e Madhe, vijoi, Kisha kundron “pushimin” e Krishtit në varr, pas betejës fitimtare  të kryqit e njëjtësohet me Marinë.

E tërë feja e tij u mblodh në Të, dishepulle e parë e besimtare e përkryer. Në terrinën, që mbështjell krijimin, Ajo mbetet vetëm për ta mbajtur të  ndezur flakën e fesë, duke shpresuar kundër çdo shprese në Ringjalljen e Krishtit”.

Në pritje të dritës së Krishtit të ngjallur

Në Natën e pagjumë të Pashkëve presim, plot me shpresë, kthimin e Krishtit, kur Pashkët do të duken plotësisht me dritën e të Ngjallurit. Diçka, kujtoi Françesku, nis e lëviz në errësirën e thellë të natës.

Ne  e dimë se nata është më natë e ka më shumë errësirë, para se të nisë dita. Por pikërisht në këtë errësirë është Krishti, që fiton e ndez zjarrin e dashurisë. Guri i dhimbjes flaket tutje, duke i hapur rrugën shpresës.

Roje të agimit

Me Jezusin, që e mund vdekjen, e ne me të, hapet e sotmja përplot me ardhmëri: “Jeta jonë nuk mbaron para gurit të një varri, jeta jonë shkon përtej, me shpresë në Krishtin, që u ngjall pikërisht nga Varri. Si të krishterë jemi të thirrur për të qenë roje agimi, që dinë të dallojnë shenjat e të Ngjallurit, ashtu si bënë gratë e dishepujt, të cilët rendën tek varri në ag të ditës së parë të javës”.

Audienca, sipas traditës, përfundoi me një mori përshëndetjesh, drejtuar grupeve të veçanta, ardhur nga të katër anët e Italisë e të botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.