2015-03-31 15:34:00

“Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve. Udha e Kryqit e Françeskut


Në rubrikën e sotme “Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve, vijojmë udhën e Kalvarit. Ndalohemi në Stacionin e pestë të Udhës së Kryqit, me meditimet e Papës Françesku, shkëputur nga libri i botuar këto ditë, titulluar “Logjika e dashurisë” . Në këtë stacion:

“Jezusi ndihmohet për të mbartur Kryqin nga Simoni prej Cirene”

Vetëm kush e njeh ligështinë e vet, është i aftë për vepra solidare. Prekja në shpirt dhe ndarja e vuajtjes me atë, që bie erë djerse e gjaku, dergjur buzë rruge, janë sjellje të njeriut, i cili në sosjen e tjetrit, shikon sosjen e vet. Shikon vetveten: baltë e thesar mbrujtur bashkë! E prandaj, nuk mund të bëjë sikur nuk sheh e të largohet pa ia zgjatur dorën njeriut buzë rruge. Përkundrazi: e do, i afrohet e, pa dashur, zbulon se plagët që mjekon në trupin e vëllait, janë balsam për të tijat … Prandaj flasim për dinjitetin e njeriut, të çdo njeriu, pavarësisht nga fakti se jeta e tij fizike ka nisur të venitet ose të shuhet si qiriu, prej të cilit pikon e mbramja pikë e dyllit në djegie.  Sa më e brishtë të jetë gjendja e tij fizike, aq më shumë meriton të vlerësohet e të çmohet. E sidomos, të duhet, të mbrohet, të vihet në vendin që i takon si njeri, dinjitetin e të cilit nuk mund ta prekë ligështi as sëmundje. Kjo është e padiskutueshme.  








All the contents on this site are copyrighted ©.