2015-03-31 13:04:00

Selia e Shenjtë: të krishterët në Lindjen e Mesme, të vënë në shënjestër, rrezikohen të zhduken


“Të krishterët janë në rrezik të zhduken nga Lindja e Mesme. Prandaj Bashkësia Ndërkombëtare duhet të ndërhyjë sa më shpejt që të jetë  e mundur, përndryshe do të jetë tepër vonë”. Këtë pohoi vëzhguesi i përhershëm i Selisë Apostolike në Pallatin e Qelqit, në New York, imzot Bernardito Auza.

“Ora është tragjike - theksoi imzot Auza. Rrezikohet vetë mbijetesa e të krishterëve në Lindjen e Mesme, pas një historie dymijëvjeçare. Edhe bashkësive të tjera etnike e fetare po u shkelen njëlloj të drejtat e njeriut, po torturohen, po vriten e po pësojnë të gjitha format e persekutimit, vetëm për shkak të fesë që dëshmojnë ose të grupit etnik, të cilit i përkasin. Por të krishterët merren posaçërisht në shënjestër, vriten, detyrohen të ikin nga shtëpitë e tyre e nga fshatrat e tyre”.

“Vetëm 25 vjet më parë, kujtoi imzot Auza, në Irak jetonin më se dy milionë të krishterë, ndërsa sot kanë mbetur vetëm 500 mijë. Situata është e padurueshmne. Organizatat terroriste i kërcënojnë me vdekje të krishterët, krejtësisht të braktisur si nga autoritetet e ligjshme, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare”.

Selia e Shenjtë e fton mbarë botën të veprojë para se të jetë tepër vonë, duke kujtuar se, me miratimin e bashkësisë ndërkombëtare, secili shtet e ka për detyrë ta mbrojë popullsinë e vet nga genocidi, nga krimet e luftës, nga krimet kundër njerëzimit dhe spastrimi etnik e, atje ku shteti nuk dëshiron, ose nuk mundet ta bëjë këtë, bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë gjithnjë e gatshme për të ndërhyrë e për të mbrojtur popullsitë, në përkim me Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Prelati kujtoi edhe se Papa Françesku e ka ftuar vazhdimisht bashkësinë ndërkombëtare “të bëjë ç’është e mundur për t’i dhënë fund gjendjes tragjike e për të  parandaluar situatën sistematike të dhunës, që vijon kundër pakicave etnike e fetare”. Vonesa e ndërhyrjes, kujtoi me qortim vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë, do të ketë si pasojë vijimin e vdekjeve,  të persekutimeve, të ikjeve.

Selia e Shenjtë, vijoi imzot Auza, vlerëson lart vendet e rajonit dhe të gjithë ata që punojnë pa u lodhur, edhe me rrezik jete, për t’i ndihmuar rreth 2 milionë e gjysën të shpërngulur brenda Irakut, 12 milionë sirianë, që kanë nevojë të ngutshme për ndihma humanitare, nga të cilët, katër milionë jetojnë si refugjatë e shtatë milionë e gjysëm, si të shpërngulur brenda trojeve të tyre. Kërkojmë, përfundoi, të ndihmohen këto vende!








All the contents on this site are copyrighted ©.