2015-03-31 11:33:00

Meshë për të krishterët e persekutuar, në Shën Marinë e Trasteverit


Meshë për të krishterët, viktima të persekutimit. Kremtohet sot në Romë, në Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere, kryesuar nga imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për marrëdhëniet me Shtetet pranë Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit. Në kremtimin liturgjik marrin pjesë përfaqësues të  Kishave e bashkësive të krishtera të të gjitha konfesioneve fetare.

Si çdo vit, në zemër të Javës së Madhe, kujton Bashkësia e Shën Egjidit,  që e organizon nismën fetare, përkujtohet dëshmia e shumë të krishterëve, që persekutohen e diskriminohen në vende të ndryshme të botës, ku mungon liria fetare. I kujtojmë viktimat me fjalët e Papës Françesku: “Sot , në shekullin XXI, Kisha jonë është Kishë martirësh”. E kështu ka qenë, posaçërisht muajt e fundit në Pakistan, Nigeri, Lindje të Mesme...

Në këto vende, kujton Bashkësia e Shën Egjidit, dëshmia e çarmatosur dhe  larg çdo dhune e të krishterëve, duhet ta shkandullojë botën, përballë krimit, korruspionit, terrorit. Përballë njerëzve që vdesin, vetëm pse shkojnë në meshë; përballë kishave të djegura; misionarëve, që kërcënohen ose vriten sepse edukojnë të rinjtë, duke i shkëputur nga bandat kriminale. Dëshmitarët e shekullit XX janë burra e gra, që dëshmojnë forcën e rezistencës me të mirë, përballë së keqes, deri në dhurimin e jetës: të krishterë që përsëritën e përsërisin dëshminë e Apostujve.








All the contents on this site are copyrighted ©.