2015-03-31 13:24:00

Kardinal Filoni mbërriti në Irak, si i dërguar i Papës


Mbërriti dje në Irak për të çuar ndihmën konkrete dhe bekimin e Papës Françesku për të krishterët e për gjithë popullsinë, prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Fernando Filoni. Ai do të qëndrojë gjithë javën, për t’u takuar me njerëzit, që kanë lënë shtëpitë, sidomos në Mosul dhe në Pllajën e Ninives, për shkak të dhunës së xhihadistëve të Shtetit Islamik. Falë ndihmës së Kishës vendase dhe të Karitasit, familje të tëra kanë gjetur strehë në rajonin autonom të Kurdistanit irakian.

         Prelati, i cili pati shkuar edhe gushtin e kaluar në Irak, u ndal fillimisht në Jordani, ku vizitoi dy famulli të Amanit, të cilat strehojnë refugjatë irakianë. Gjithashtu u takua me përgjegjësin e  Karitasit e mundi të shohë se mikpritja e vedasve u ka siguruar irakianëve dinjitet e miqësi. Në njërën nga famullitë, pasdite, funksionon edhe një shkollë për rreth 300 fëmijë refugjatësh. Sot, kardinali Filoni ndodhet në Bagdad, ku gjendja është e nderë për shkak të vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, shoqëruar me atentate.








All the contents on this site are copyrighted ©.