2015-03-31 13:30:00

Delegacion vatikanas në Irak: solidariteti i Papës


Ndërsa vazhdon vizita e kardinalit Fernando Filoni në Irak, u kthye në Romë nga Bagdadi, delegacioni vatikanas i kryesuar nga Këshilli Papnor “Cor Unum”, dikasteri i Bamirësisë së Papës. Së bashku me delegacionin, në Irak shkuan edhe dy ikona të “Zojës që zgjidh nyjet”, bekuar nga Papa Françesku, pikërisht për ipeshkvijtë e zonës, ku gjendja paraqet vërtet shumë nyje për t’u zgjidhur. Intervistuam kreun e delegacionit, zv.sekretarin e “Cor Unum”, imzot Segundo Tejado Munoz, i cili ka qenë drejtor i Karitasit Shqiptar. E pyetëm cila është gjendja e familjeve refugjate:

         Unë kam përjetuar luftën në Kosovë, kur isha drejtor i Karitasit Shqiptar: edhe atëherë na u desh të prisnim të shpërngulurit, që vinin nga Kosova. E rijetova atë periudhë. Ishte e njëjta gjendje. Familjet detyrohen të ikin nga shtëpitë, ta ndërpresin jetën e tyre normale, të marrin fëmijët e të shkojnë drejt një toke të panjohur; nuk e dinë nëse do t’i presin, apo jo: është dramë e jashtëzakonshme!Ndoshta është ndryshe për një njeri të vetëm, por për një familje është diçka shumë serioze. Më kujtohet kur vinin nga Kosova me traktorë, së bashku me gjyshërit, me fëmijët; gjithë familja. Ishin të dëshpëruar, sepse kishin lënë gjithçka pas. Menjëherë pas luftës u kthyen e po kjo gjë ndodh edhe në Irak: njerëzit duan të kthehen në shtëpitë e tyre. Na thoshin: “Nuk do të jetë e lehtë, sepse shpesh jemi denoncuar edhe nga fqinjët; jemi kërcënuar e detyruar të ikim pikërisht nga fqinjët, sepse na thoshin se kur të vinte Isis do të na denonconin”. Prandaj, të kthehen tani, është punë e ndërlikuar. Është gjendje vërtet dramatike! Shihnim fëmijët, që pavarësisht nga ç’kanë rrotull, janë fëmijë, prandaj, gjithnjë plot gaz, vraponin andej-këndej, viheshin në pozë për të bërë fotografi me ne… Kjo është jeta. Por në këtë jetë të pafajshme, që na kalonte para syve, është drama e një populli, i detyruar të ikë nga sytë këmbët. Bëhet fjalë për 2 milion e gjysëm të shpërngulur, pa përmendur Sirinë. Vetëm në Irak! Prekëm me dorë vuajtjen e këtyre familjeve. 








All the contents on this site are copyrighted ©.