2015-03-31 13:12:00

Më 12 prill, në Shën Pjetër, mesha për besimtarët e ritit armen


Papa Françesku do të kremtojë meshën për besimtarët e ritit armen, më 12 prill, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Po këtë vit, armenët përkujtojnë genocidin e otomanëve  kundër tyre. Në meshë, siç njoftohet në faqen e internetit “Vatican Insider”, do të jenë të pranishëm dy patriarkët e Kishës armene apostolike: Patriarku Karekin II dhe Katolikosi Aram I, që udhëheq Katolikozatin e Shtëpisë së madhe të Cilicës, me seli në Antelias të Libanit.

         Kujtojmë se genocidi kundër armenëve u realizua në dy faza, të lidhura ndërmjet tyre. E para, është fushata e sulltanit otoman Abdul-Hamid II, në vitet 1894-1896. Faza e dytë ka të bëjë me zhdukjen e shpërnguljen e armenëve në vitet 1915-1916. Termi “genocid” i përket sidomos episodit të dytë, që armenët e përkujtojnë më 24 prill.

         Në të njëjtën periudhë historike, Perandoria Otomane pati kryer, ose së paku, toleruar, sulme të ngjashme edhe kundër etnive të tjera, si asirët e grekët, prandaj disa studiues mendojnë se ekzistonte një plan i paracaktuar shfarosjeje. Prej kohësh, armenët kërkojnë të njihet botërisht genocidi kundër tyre, por deri tani, vetëm 21 shtete e kanë bërë këtë zyrtarisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.