2015-03-30 14:48:00

“Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve. Udha e Kryqit e Françeskut


Në rubrikën e sotme “Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve, e ndjekim  Krishtin në Stacionin e katërt të Udhës së Kryqit. Me meditimet e Papës Françesku, shkëputur nga libri i botuar këto ditë, titulluar “Logjika e dashurisë” .

Jezusi takohet me Nënën

Nuk jemi vetëm, jemi shumë, jemi popull, e shikimi i Zojës së Bekuar na ndihmon ta shohim njëri-tjetrin me syrin e vëllait, të motrës. Të shkëmbejmë gjithnjë vështrime vëllazërore! Maria na e mëson këtë shikim, përpiqet të na marrë në krahë. Të na shoqërojë. Të na mbrojë. Të na prijë kah Golgota, për të gjetur fillin e humbur të jetës. Të mësohemi ta shikojmë njëri-tjetrin nën vështrimin amtar të Marisë, që s’shihte tjetër, veç dritës së Kryqit, mbyllur brenda një rrotulle terri! Shpesh herë na duket se disa njerëz kanë më pak nevojë për ne, nësa janë pikërisht ata, që kanë më shumë. Njerëzit e braktisur, të sëmurë, pa gjë mbas shpirtit, fëmijët e rrugës, ata që nuk e njohin Jezusin, që nuk e kanë ndjerë kurrë ngrohtësinë e prehërit të Virgjërës Nënë. Në Marinë shumëkush gjen forcën e Zotit për t’i mbartur me durim vuajtjet dhe kapitjet e jetës” (Evangelii gaudium , 286). Në të gjejmë forcën e Zotit, për t’u bërë ballë shqetësimeve, që  mbarojnë vetëm nëse do të  kemi fatin e madh të trokasim në portat e qiellit! Në kërkim të Emrit të Tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.