2015-03-29 17:47:00

Tunizi: mijëra kundër terrorizmit, vritet kreu xhihadist


Pak orë pas njoftimit se ishte vrarë kreu i grupit kryesor xhihadist tunizian, Tunisi marrshoi kundër terrorizmit. Mijëra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit, në shenjë solidariteti me viktimat e atentatit të përgjakshëm në muzeun Bardo e kundër xhihadizmit ndërkombëtar. Të pranishëm shumë krerë shtetesh e qeverish nga e gjithë bota, që u bashkuan me turmën, nën parrullën “Le Monde est Bardo”. 
    Të thirrur nga qeveria e nga hoxhallarët nëpër xhami, manifestuesit u nisën nga porta historike Bab Saadum, në drejtim të muzeut teatër, ku më 18 mars gjetën vdekjen 22 vetë, 21 prej të cilëve, turistë të huaj. Presidenti tunizian zbuloi një pllakë përkujtimore, me emrat e viktimave. Atentati u mor përsipër nga Shteti Islamik, por autoritetet tuniziane ia atribuan celulës së grupit Okba ibn Nafaa, organizatë e lidhur me Al Kaedën, që vepron në kufi me Algjerinë. Policia ndërhyri në këtë zonë gjatë natës së djeshme, duke vrarë 9 terroristë, ndër të cilët edhe Khaled Chaib, i njohur me emrin Lokman. Ai është përgjegjës për vdekjen e dhjetra policëve dhe ushtarakëve, pas dhjetorit 2012. 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.