Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Përvujtëria është udha e Zotit: Françesku në të Dielën e Larit

Papa Françesku kryeson Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit - AP

29/03/2015 13:46

Nuk ka përvujtëri, pa përulje. Papa Françesku, në të Dielën e Larit,  që hap Javën e Madhe, nënvizoi se Zoti përulet, për të ecur me popullin e vet. Kujtoi edhe përuljen e të gjithë atyre, që poshtërohen dhe diskriminohen për shkak të besnikërisë ndaj Ungjillit. Kjo është udha, për të ndjekur Jezusin e për ta jetuar Javën e Madhe. Përulja është, para së gjithash, stili i Zotit, sqaroi Papa Françesku. E shtoi: “Një stil, që nuk do të mbarojë kurrë së na habituri e së na vëni në krizë: njeriu e ka tepër të vështirë ta kuptojë një Zot të përulur”.

Me kremtimin e së Dielës së Larit, vijoi Ati i Shenjtë, tejet festive në dukje, hapet Java e Mundimeve të Krishtit. Në udhën e dhimbshme e nën hijen e kryqit, kujtoi, do të dëgjojmë sharjet e njerëzve e fyerjet e krerëve. Do ta shikojmë Zotin të poshtëruar. Të tallur. Të tradhtuar. Të braktisur. Të përqeshur. Vetëm nëse edhe ne ecim në udhën e përuljes së Jezusit, sqaroi Papa, do të jetojmë një Javë të Madhe me të vërtetë të shenjtë. Françesku pohoi më pas: “Kjo është udha e Zotit, udha e përuljes. Është udha e Jezusit, e nuk ka tjetër. Sepse nuk mund të ketë përvujtëri, pa përulje”.

Zoti përulet për të ecur me popullin e  vet, vijoi, për të mbartur pabesinë e tij. E më pas citoi Librin e Daljes, ankimet e popullit, që Ati i kishte bërë të dilnin nga gjendja e skllavërisë e u printe në shtegtimin përmes shkretëtirës, kah toka e lirisë: “Përvujtëri, shpjegoi Françesku, do të thotë shërbim, do të thotë t’i bësh vend Zotit, duke u zhveshur nga vetvetja, ‘duke u zbrazur’, siç thonë Shkrimet e Shenjta. E kjo është përulja më e madhe”.

Më pas Papa foli për rrugën e kundërt me këtë të Krishtit, rrugë të cilën e përkufizoi me dy fjalë: mendësi e botës. Me karakteristika të mirëpërcaktuara: “Mendësia e botës na ofron udhën e kotësisë, të krenarisë, të suksesit. Është udhë tjetër. Djalli ia propozoi edhe Jezusit, gjatë dyzet ditëve në shkretëtirë. Po Zoti e refuzoi pa ngurrim. E me Të, me hirin e Tij vetëm, me ndihmën e Tij, edhe ne mund të fitojmë mbi tundimin e kotësisë, të mendësisë së botës. E jo vetëm në rastet e mëdha, por edhe, e sidomos, në rrethanat e zakonshme të jetës”.

Të ecim edhe ne në këtë udhë, i inkurajoi besimtarët Françesku, na ndihmon e na ngushëllon kësaj udhe shembulli i shumë burrave e grave që, në heshtje e fshehtësi, çdo ditë, e mohojnë vetveten për t’u shërbyer të tjerëve: një të afërmi të sëmurë, një plaku të vetmuar, një fqinji të gjymtuar…”. E më pas, mendimi për të gjithë ata që, për shkak të qëndrimit besnik ndaj Ungjillit, diskriminohen, duke e paguar shpesh edhe me jetë këtë besnikëri.

Janë të krishterët e persekutuar: “Të mendojmë për vëllezërit e motrat tona të persekutuara, vetëm e vetëm pse të krishterë, martirë të ditëve tona: janë shumë! Nuk e mohojnë Jezusin e i mbartin me dinjitet fyerjet e poshtërimet. E ndjekin Zotin në rrugën e Tij. Mund të flasim për një turmë të vërtetë dëshmitarësh: janë martirët e ditëve tona”. Françesku nuk ka asnjë dyshim: në udhën e përvujtërisë së Zotit, na prin e na jep forcë dashuria e Tij!

29/03/2015 13:46