2015-03-29 16:32:00

Kili-Peru: telegram i Papës për viktimat e përmbytjes


Papa Françesku lutet për njerëzit e dëmtuar në Kili e në Perù nga përmbytja, që shkaktoi vdekjen e shumë njerëzve si edhe dëme të rënda materiale.  Në një telegram, me nënshkrimin e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, drejtuar nuncëve të dy vendeve latinoamerikane, Papa Bergoglio siguron se lutet për të vdekurit  e i kërkon Zotit  t’u japë ngushëllim e forcë të gjithë atyre, që janë prekur nga kjo fatkeqësi e rëndë e natyrës.

Papa i nxit institucionet si dhe njerëzit vullnetmirë që, të vënë në lëvizje nga solidariteti vëllazëror dhe dashuria e krishterë, t’u japin të dëmtuarve ndihmën e nevojshme për ta kapërcyer këtë çast të vështirë.

Kujtojmë se në këto dy vende latinoamerikane situata është vërtet tragjike. Baltë, rrëshqitje toke, vërshime, shtëpi të rrënuara, njerëz të pastrehë, shi që nuk di të pushojë: kjo është pamja e këtyre viseve, drejt të cilave Papa nisi telegramin e ngushëllimit.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.